Peshëngritja shqiptare dëmtohet edhe një herë nga problemet e dopingut. Këtë herë është Daniel Godelli, i cili sipas Agjencisë Ndërkombëtareve të Testimeve antidoping, ka rezultuar përdorues i substancës së ndaluar SARM enobosarm, e cila në fakt përdoret në sportin e badibilldingut për fryrjen e fuqizimin e muskujve. E hequr dhe e shpallur e ndaluar që më 2008-ën nga Agjencia Botërore e Antidopingut si derivat i steroideve anabolizante. Testi është bërë gjatë Kampionatit Europian të të rriturve në Jerevan të Armenisë, më 19 prill, ndërsa Godelli në fakt në peshën 81 kilogram nuk arriti të realizonte asnjë provë si në shkëputje, ashtu dhe në shtytje.
Kjo ishte vetëm përgjigja e testit A, ndërsa Godelli ka kërkuar dhe hapjen e testit B, teksa në faqen e tij në facebook ka shkruar: “Për t’i paraprirë portaleve dhe televizioneve dhe për të qenë transparent me ju deklaroj që testuar pozitiv në përdorimin e një substance të ndaluar. Substancë, e cila nuk ka lidhje me sportin dhe për këtë arsye do të kërkoj analizimin e testit B, ku do të faktoj dhe do të paraqesë çdo provë që unë zotëroj për të provuar pafajësinë time. Kjo pasi flitet për një garë ku unë isha i dëmtuar dhe rezultatet e mia ishin thjeshtë për pjesëmarrje dhe për të shënuar emrin për pikë olimpike dhe jo për të garuar qind për qind. Kërkoj nga ju mirëkuptimin dhe bashkarisht të presim për rezultatet që do të dalin nga testi B”, ka thënë Godelli, kurse shtanga kuqezi tronditet edhe një herë nga dopingu.