Thursday, April 25, 2024

Rrethi Çiklistik i Shqipërisë edicionin i 80-të, etapa e parë fitohet nga britaniku Stedman

Lexo

Rrethi Çiklistik i Shqipërisë nisi sot edicionin e tij jubilar, të 80-të, dhe vendi ynë është ndër të dalluarit në kontinent, sepse kjo garë është e treta më e vjetra në Europë, pas të lavdishmëve Tur I Francës dhe Xhiro e Italisë. Që nga 1925 e deri së fundmi, emra të mëdhenj kanë fituar që nga Jonuz Gjylbegu, Fadil Muriqi, Bilal Agalliu, Agron Tafilica, Agron Huqi e Agim Tafili sa për të përmendur disa kampionë. Do të përshkohen plot 754 km gjatë 5 etapave të saj, që i marrin afro 80 sportistët e 14 skuadrave pjesëmarrëse, nga të cilat 11 janë ndërkombëtare, përgjatë itinerarit Tiranë-Lushnjë-Elbasan-Vlorë-Përmet, duke e mbyllur në finishin tradicional të Fierit. Dhe etapa e parë e këtij edicioni është zhvilluar ditën e hënë, duke u nisur nga Sheshi “Italia” pranë Stadiumit “Arena Kombëtare” në kryeqytet.

Kjo etapë e parë, e cila është zhvilluar me itinerarin Tiranë – Dushk – Krrabë, ka qenë e gjatë 146 km, që janë përshkuar në mbi 3 orë e 20 minuta. Duhet theksuar se shërbimet e Policisë Rrugore, të Patrullave të Përgjithshme dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të Drejtorive Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Çiklizmit kanë marrë masat e duhura për mbarëvajtjen e kësaj veprimtarie sa i përket sigurisë rrugore dhe rendit, duke bllokuar apo devijuar lëvizjet së automjeteve në akset rrugore ku po zhvillohet gara. Duhet theksuar se gara në etapën e parë është zhvilluar me një ritëm të lartë dhe një konkurrencë të fortë, edhe pse, për një pjesë të mirë të saj, është ndikuar nga rreshjet e shiut dhe era e fortë.

Pjesa më sfilitëse e garës ka qenë ajo e fundit, ngjitja nga nga qyteti i Elbasanit nëpër rrugën e vjetër të qafës së Kërrabës dhe me finishin në Gracen. I pari vijën e finishit në Gracen e ka kaluar çiklisti Maksimilian Stedman i skuadrës britanike “Velo Shills”, me kohën 3 orë, 20 minuta e 5 sekonda, i cili ka fituar duelin me rumunin Kristian Raileanu të skuadrës së Steausë së Bukureshtit, kurse i 3-të ka mbërritur Periklis Ilias i skuadrës përfaqësuese të Greqisë dhe i 4-ti Mikel Demiri i Kombëtares kuqezi.

Stedman u shpreh: “Në fakt, ishte një fitore e vështirë, sepse gjatë garës, pata edhe një avari me gomën dhe mbeta prapa, dhe m’u desh të shtyja fort, bashkë me shokët e skuadrës, derisa mbërritëm në këtë malore, që për mua ishte shumë e bukur. Por me kaq shumë erë sa frynte sot, ishte e pamundur të shkëputesha, prandaj m’u desh të prisja dhe të bëja llogaritë në sprint. Ia dola dhe jam shumë, shumë i lumtur”.

Etapa e dytë e Rrethit të 80-të Çiklistik të Shqipërisë është ajo Tiranë – Lushnjë – Elbasan, 157 km e gjatë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img