Veleçiku i Koplikut që është pjesë e grupit A të kategorisë së parë, ndeshjen e fundit e luajti në transfertë me Partizanin B dhe barazoi me rezultatin 1 me 1. Një barazim ky që për trajnerin e Veleçikut ishte mëse i merituar, madje, sipas tij, me pak kujdes skuadra e drejtuar prej tij mund të largohej edhe me tre pikë nga Tirana. Deklarata në fjalë e trajnerit Rrustemaj u dha për Veriu Sport, ku ndër të tjera ngre edhe disa shqetësime në lidhje me funksionimin e skuadrës.
“Siç e keni parë gjatë ndeshjeve të këtij kampionati që kemi zhvilluar deri më tani, skuadra e jonë prodhon lojë, por ajo që na mungon është cilësia e finalizimit të aksioneve në portën kundërshtare. Kjo vjen nga mungesa e sulmuesve të mirëfilltë në formacionin tonë. Por, krahas sulmit problem kemi patur edhe me mesfushëm, dy reparte këto që nuk kanë funksionuar si duhet.”, thotë njëshi i pankinës së Veleçikut.
Sipas tij, mungesa e pikëve të duhura në tabelën e klasifikimit vjen pikërisht nga mungesa e funksionimit si duhet të këtyre reparteve, të cilët nuk po arrijnë të shënojnë gola dhe t’i japin pikët e duhura ekipit. “Nga ana tjetër, në lidhje me repartin e mbrojtjes si dhe portën jam i kënaqur me formën sportive që kanë paraqitur deri më tani duke qënë edhe pika më e fortë e skuadrës.”, thotë Rrustemaj. Për trajnerin Rrustemaj, nëse Veleçiku kërkon të rritet në lojë dhe në renditje duhet patjetër të përfshihet në merkato për të siguruar futbollistët e duhur në dy repartet e mësipërme, sulm dhe mesfushë.
Java e nëntë e Kampionatit Kombëtar të kategorisë së parë luhet në mesjavë e ndarë në dy ditë, e mërkurë dhe e enjte. Sipas kalendarit, Veleçiku pret në shtëpi Beslidhjen, ndeshje që do të luhet të enjten ora 13.30 në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës. Ndonëse lezhjanët kanë bërë disa hapa të gabuar në këto javë të para, përfshirë edhe barazimin e fundit 0-0 në shtëpi me Orikun, Besëlidhja mbetet një ekip i fortë, ndaj edhe trajneri koplikas Rrustemaj flet me konsiderata për këtë skuadër. Megjithatë, ai garanton se Veleçiku do të luajë fort në këtë ndeshje për të marrë një rezultat pozitiv.
Gaspër MARKU