Thursday, April 25, 2024

Ardi Frroku, golashënuesi velipojak që kërkohet edhe në Superiore

Lexo

Ada e Velipojës ka në gjirin e saj një “xhevahir”. Nuk bëhet fjalë për sulmuesin e njohur të futbollit shqiptar, Xhevahir Sukaj, por për një “xhevahir” tjetër që quhet Ardi Frroku. Realisht nuk ka shumë emër, kjo edhe nga ajo që luan në një kategori të ulët si ajo e dyta ku bën pjesë skuadra e tij e Adës së Velipojës. Prej dy-tre sezonesh ai është golashënuesi më i mirë i skuadrës velipokaje, ndërkohë që aktualisht në këtë sezon vetem në shtatë javë kampionat ka shënuar gjashtë gola për ngjyrat e skuadrës së tij. I fundit ishte ai që i shënoi Ilirisë së Fushë Krujës nga një distancë e largët, ndërkohë që një tjetër goditje mjeshtrore nga distanca përfundoi në tranversën e portës kundërshtare.

Vlerësimi i trajnerit Mehja për Frrokun

“Është një lojtar që ka cilësi të jashtëzakonshme, është një lojtar që ndoshta meriton të luajë në kategori më të lartë. Mua më vjen shumë mirë dhe gëzohem që e kam pjesë të ekipit. Ardi është golashënuesi më i mirë i ekipit tonë dhe ka cilësi shumë të mira dhe me të drejtë them që është privilegj që e kemi një lojtar të tillë në gjirin e ekipit tonë, sepse është shumë i domosdoshëm për ne.”,do të shprehej tekniku i Adës Adi Mehja për 24 vjeçarin e talentuar të skuadrës velipojake.

Ofertat

Të gjithë ato që kanë rastin ta shikojnë Ardi Frrokun në fushën e lojës, shprehen njëzëri se ky djalë meriton të luajë në kategori më të larta të futbollit shqiptar. Madje, sipas drejtuesve të Adës, por edhe miqve të tij të afërt, për Ardi Frrokun janë interesuar edhe skuadra të Superiores për ta bërë pjesë të tyre. Megjithatë, Frroku, falë edhe modestisë që e karakterizon, për momentin nuk ka dëshirë të flasë për këtë temë, duke qënë i përqëndruar tek Ada, të cilën kërkon ta ndihmojë duke shënuar sa më shumë gola dhe për ta ngritur atje ku e ka vendin në kategoritë më të larta të futbollit shqiptar. “Jam i kënaqur me ecurinë time në aspektin personal ku po vijoj të shënoj sistematikisht. Është e vertetë që kam pasur oferta për të lëvizur në ekipe të tjera, por mendoj të vijoj me Adën, pasi kam detyrime për këtë skuadër ku edhe kam debutuar si futbollist. Por, krahas kësaj ajo që dëshiroj është që së bashku me këtë grup të realizojmë objektivin që i kemi vënë vetes për rikthimin e Adës në kategorinë e parë, pse jo në vazhdimësi për të parë edhe më tej drejt Superiores, pasi Velipoja turistike e meriton të ketë një skuadër të niveleve të larta.”, thotë sulmuesi potent Ardi Frroku.

Ndeshja

Në vijim të prononcimit të tij për Veriu Sport, golashënuesi i talentuar velipojak Ardi Frroku flet konkretisht për ndeshjen e fundit me Ilirinë, ku goli i tij personal i dha fitoren ekipit me rezultain 1 me 0. “J am shumë i kënaqur për golin e shënuar, sepse me ju thënë drejtën nuk ishte fort e lehtë, pasi edhe goditja ishte nga një distancë e konsiderueshme. Më vjen keq që nuk shënova edhe golin e dytë, por ishte traversa e portës së Ilirisë që u bë pengese. Gjithësesi, me rëndësi është që e fituam këtë ndeshje, sepse edhe kundërshtari është një ekip me emër në futbollin shqiptar”, thotë Frroku.

Vazhdimësia

”Shpresoj që këto fitore të vijojmë edhe në ndeshjet e tjera në vazhdim dhe të mos ndalemi me kaq, sepse jemi një ekip i kompletuar në të gjitha repartet.  Ndonëse është heret, me punën profesioanale  që poë bëjmë me trajnerin tonë Adi Mehja, në vazhdimësi shpresojmë që të mbërrijmë në vendin e parë dhe të kalojmë sa më shpejt në kategorinë e parë. Nëse vijojmë me këtë harmoni grupi, besoj shumë se mund të arrijmë objektivin e rikthimit në kategorinë e parë”, shprehet Frroku. Duke folur për ndeshjen e ardhshme që do të luhet në transferte me Shkumbinin që kryeson grupin A, ai beson se Ada nuk do të dalë pa pikë nga Peqini, ndërkohë që personalisht shpreson të shënoj duke ndihmuar ekipin për të marrë rezultat pozitiv.

Dedikimi për presidentin Pjetri

Në mbyllje, Ardi Frroku ka edhe një dedikim për presidentin e Adës së Velipojës, Alfred Pjetri, për të cilin thotë se i është mirënjohës që e ofroi tek Ada duke i dhënë shansin të luajë dhe të afirmohet si futbollist. Por, dedikimi ka edhe një motiv tjetër, në lidhje problemet që Pjetri ka ditët e fundit me Covid-19. “Golim që shënova sot ndaj Ilirisë ia detikoj presidentit tonë Alfred Pjetrit, i cili po kurohet nga virusi Covid-19 që e ka përfshirë ditët e fundit. I uroj një shërim sa më të shpejtë si dhe rikthim këtu në fushën e futbollit për t’i dhënë si gjithnjë zemër dhe mbështetje ekipit tonë.”, mbyllë prononcimin e tij për Veriu Sport, golashënusi i Adës, Ardi Frroku.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img