Interi bën detyrën edhe në Parma. Skuadra e trajnerit Chivu merr 3-pikëshin e radhës, falë golave të Dimarco dhe Thuram, duke u ngjitur në kuotën e 42 pikëve.
Zikaltrit përfitojnë nga hapi i gabuar i Napolit në javën e 19-të të Serie A. Nën mjegullën e “Tardini” ata kanë fituar 0-2, me trajnerin Cristian Chivu që vizitonte skuadrën që e lançoi në kampionatin italian.
Në fundin e pjesës së parë Dimarco zhbllokoi shifrat, ndërsa më parë Bisseck kishte goditur shtyllën. Pas pushimit të ndeshjes, Sucic shpërdoroi rastin për golin e sigurisë. Llogaritë u mbyllën në minutën e 98-të nga Thuram. Me këtë fitore Interi shkon në 42 pikë në krye, 4 më shumë se Napoli dhe Milani, që nesër pret Genoan.
Lazio ka barazuar 2-2 në fushën e vet ndaj Fiorentinës. Madje i ka shpëtuar humbjes falë një penalltie në kohën shtesë. Ka humbur ndërkohë Torino, që është mundur 1-2 nga Udinese. Ismajli qëndroi 72 minuta në fushë, ndërsa Asllani nuk u aktivizua asnjë minutë.



