Të mërkurën janë mbyllur takimet e para të fazës së grupeve të Ligës së Kampioneve, dhe Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar solli drejtpërdrejt përballjen më të spikatur, atë midis Bajernit të Mynihut dhe Mançester Junajtid. Përballja e zhvilluar në Mynih ka parë vendasit ta mbizotërojnë 45-minutëshin e parë, duke bërë një vëllim më të madh loje, ndërsa anglezët kanë kërkuar të godasin me topa prapa shpinës së kundërshtarit. Megjithatë, fati i pjesës së parë do të përcaktohet nga një shpërqendrim prej 4 minutash, që do t’i kushtojë shtrenjt Mançester Junajtid. Në minutën e 28-të, një goditje pa shumë pretendime e Lëroi Sanesë do të kalojë përmes duarve të gardianit të portës angleze, Andra Onanës, dhe do të përfundojë në rrjetë.
Vetëm 4 minuta më pas, Musiala do të shkojë deri në fundore, duke pasur në qendër për Serzh Gnabrin, që e kalibron mirë goditjen e tij dhe e dërgon topin në rrjetë.
Kështu, ne epërsinë e dyfishtë të Bajernit do të mbyllen 45 minutat e para. Ato të dytat shohin “Djajtë e kuq” të shkurtojnë hendekun e golave me atë të realizuar nga Hojlund brenda 4 minutash.
Por në të 53-tën Herri Kejn rikthen epërsinë e dyfishtë të bavarezëve, teksa tregohet i saktë nga pika e bardhë.
Kasemiro do të ngushtojë sërish shifrat për Mançester Junajtid dy minuta para fundit të kohës së rregullt.
I futuri në fushë në fund, Matis Tel, gjen edhe golin e 4-t të Bajernit në minutën e dytë shtesë.
Ndonëse Kasemiro gjen golin e dytë personal dhe të 3-tin e anglezëve, është shumë pak dhe shumë vonë dhe Bajerni i Mynihut mposht Mançester Junajtid 4-3, ndërsa përveç ndeshjes, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar solli edhe emisionin e posaçëm të Ligës së Kampioneve.