Vetëm pak ditë në përbërje të skuadrës së Egnatias i kanë shërbyershkodranit Ildi Gruda të shndërrohet në “hero” për rrogozhinasit, ku me golin e tij, shënuar në minutat shtesë, i ka dhënë fitoren europiane Egnatias. Kështu skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova, e ka nisur me fitore aventurën në UEFA Champions League, duke triumfuar 1-0 ndaj Breidablik në ndeshjen e parë kualifikuese të raundit të parë.
Kampionët e Shqipërisë zhvilluan një paraqitje shumë të mirë në stadiumin “Egnatia Arena” dhe hodhën një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në turin e dytë të kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Europë.
Trajneri Edlir Tetova e nisi me këtë formacion titullar: Dajsinani (GK), Fangaj, Sota, Xhemajli, Ndreca, Aleksi, Fernando, Lushkja, Ujka, Selmani, Guindo.
Skuadra rrogozhinase dominoi gjatë gjithë takimit dhe krijoi disa raste të rrezikshme për shënim. Në pjesën e parë ishin Lushkja dhe Selmani që provuan të zhbllokonin rezultatin, ndërsa në fraksionin e dytë rastet më të mira i patën Bakayoko, Poci dhe Melo.
Kur ndeshja po i afrohej fundit, ishte Ildi Gruda që realizoi golin e fitores për Egnatian. Sulmuesi u tregua i saktë përballë portierit dhe vulosi suksesin e parë europian për ekipin nga Rrogozhina në shtëpinë e vet.
Ndeshja e kthimit, Breidablik – Egnatia, që do të vendosë fatin e kualifikimit, do të luhet më 15 korrik në stadiumin “Kopavogsvollur” në Islandë, në orën 21:00.