Shqipëria triumfoi me rezultatin 2-0 përballë Armenisë në miqësoren e zhvilluar mbrëmjen e sotme në stadiumin kombëtar “Air Albania”. Një ndeshje e shkëlqyer nga të gjithë kuqezinjtë, të cilët realizuan me Xhuliano Skukën dhe Kristjan Asllanin.
Trajneri Reja e nisi sfidën me këtë formacion: Berisha, Mihaj, Kumbulla, Bajrami, Hadroj, Laçi, Asllani, Çokaj, Lenjani, Skuka, Muçi.
4’-7’ Skuka shpërthen në zonë pas një asisti perfekt të Asllanit, ndërhyrja e një prej mbrojtësve bën që ai të rrëzohet në tokë. Gjyqtari bën shenjë që ndeshja të vazhdojë rregullisht. Por pastaj sinjalizohet në mënyrë të papritur se mund të shohë pamjet me VAR dhe pas vëzhgimit në fund bën të qartë se i qëndron vendimit të parë dhe nuk ka penallti.
Loja nis shumë mirë, me kuqezinjtë të cilët tregohen të rrezikshëm dhe kërkojnë që në minutat e para golin e avantazhit. Xhuliano Skuka tenton fillimisht në zonën kundërshtare, pas një asisti perfekt të Asllanit, por sulmuesi pengohet nga një prej mbrojtësve armenë dhe rrëzohet në zonë. Ngrihen dyshimet për një penallti të mundshme, por pas pamjeve me VAR, gjyqtari thotë jo.
Kuqezinjtë krijojnë edhe disa raste të tjera shumë të mira, ndërsa momenti i golit erdhi në minutën e 28-të. Kristjan Asllani jep një pasim shumë të mirë për Çokajn, i cili ul topin për Xhuljano Skukën. Ky i fundit nuk gabon me gjuajtjen e tij dhe kalon në avantazh Shqipërinë.
Pjesa e parë mbyllet me shifrat 1-0 në favor të kuqezinjve, teksa me nisjen e fraksionit të dytë, trajneri Reja bën disa zëvendësime në skuadër, duke hedhur në fushën e lojës Ramadani, Cara dhe Bare, ndërsa lënë lojën Çokaj, Laçi dhe Muçi.
Kuqezinjtë e nisin sërish rrezikshëm ndeshjen, duke kërkuar golin e sigurisë. Pas disa tentativave, në minutën e 62-të Tedi Cara futet shumë bukur në zonë dhe pengohet, duke fituar një penallti, që kthehet në gol nga mesfushori Kristjan Asllani.
Trajneri Reja bën edhe disa zëvendësime të tjera, me Hadroj, Kumbullën, Skukën dhe në lojë futen Hysaj, Bitri e Muçolli. Ka minuta edhe për një gol të tretë për kuqezinjtë, nga Tedi Cara, por që anullohet nga anësori dhe VAR-i për pozicion të parregullt.
Sfida mbyllet me rezultatin 2-0 për Shqipërinë që i mbyll miqësoret e nëntorit dhe vitin kalendarik me fitore.