Historitë janë të rëndësishme, sidomos për ata që besojnë te destini. Ndoshta brenda vetes entuziazmohet edhe Sylvinho, pavarësisht se si trajner i Shqipërisë i takon të qendrojë me këmbë në tokë. Pas 23 vjetësh, braziliani kthehet, tashmë në rolin e trajnerit në Pragën ku shënoi golin e fitores së Arsenal në atë ndeshje të dhjetorit 2000, në Champions League.
Ish-mbrojtësi i majtë në ndeshjen e “Gunners” përballë Sparta Pragës në fazën në grupe të turneut, shënoi golin e vetëm në fitoren 1-0 të skuadrës së tij. Në minutën e 33’ të takimit me një driblim spektakolar, Sylvinho kaloi këdo që i doli para duke mposhtur edhe portierin me prekje të lehtë të topit që u përplas në shtyllë para se të përfundonte në rrjetë.
Tani braziliani është kthyer në Pragën e golit me kostum, por me shpresën se qyteti aristokrat do të jetë një ogur i mirë për golin e Mitajt, si bëri shaka në konferencë për shtyp, apo kujtdo tjetër që mund ti japë fitoren Shqipërisë. Atëherë ishte stadiumi i Spartës tani është ai i Slavias, ai “Fortuna Arena”, një nga impiante kryesore të qytetit të Pragës.
Një stadium që është përdorur rrallëherë për ndeshjet e kombëtares me një kapacitet prej vetëm 19370 vendesh e që nuk është mbushur kurrë plot për ndeshjet e kombëtares çeke. Në fakt, rezulton se në të janë luajtur vetëm 17 ndeshje të kombëtares së Çekisë ndër vite.