Monday, July 22, 2024

Çekia, Kombëtarja që asnjëherë nuk mungon në finalet e Europianit

Lexo

Në “Fortuna Arena” të Pragës, sot në mbrëmje, Shqipëria do të ketë përballë jo thjesht kryesuesen e Grupit E, por edhe një skuadër eksperte në fushatat evropiane, me shtatë kualifikime në po aq pjesëmarrje. Pas shpërbërjes së Çekosllovakisë, kampione në Euro 1976, Republika Çeke debutoi me evropianin e Anglisë më 1996. Skuadra e re u kualifikua si e para e grupit, duke lënë pas Holandën. Në fazën finale, doli e dyta në grupin e ferrit me Gjermaninë, Italinë e Rusinë, duke shkuar deri në finale, ku u mund 2-1 nga Gjermania.

Pas eliminimit në grup në Euro 2000, Çekia pati një brez të artë lojtarësh më 2004, ku shkoi pa pësuar humbje. Pasi mundi Holandën, Gjermaninë e Danimarkën, marshimi çek u ndal në gjysmëfinale nga Greqia.

Në kualifikueset e Euro 2008, Çekia la pas Gjermaninë, por u eliminua në grup, pas humbjes dramatike 2-3 me Turqinë. Euro 2012 u arrit me kualifikimin pas Spanjës si fituese e grupit, por shpresat e Çekisë u shuan nga Portugalia në çerekfinale, falë golit të Cristiano Ronaldos. Sërish paraqitje e shkëlqyer në kualifikueset e Euro 2016, duke lënë pas Holandën, Islandën e Turqinë, por në Francë çekët morën vetëm një pikë, 0-0 me Kroacinë.

Në kualifikueset e Euro 2020, çekët befasuan me fitoren kundër Anglisë në Ëembley, por u renditën në vendin e dytë, pasi Anglia u hakmor 5-0 në Pragë.

Në fazën finale, Danimarka ndali ecjen e Çekisë në çerekfinale. Një ngushëllim i vogël ishte Patrik Shik, golshënuesi më i mirë me 5 gola, po aq sa Ronaldo. Ndoshta një ngushëllim i vogël edhe për Shqipërinë: Sot Shik nuk do të jetë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img