Kastrioti merr tre pikë shprese për mbijetesë, ndërsa Teuta zhytet në vorbullën e skuadrave që duhet të luftojnë për të qëndruar në Kategorinë Superiore. Bedri Greca dhe Spartak Ajazi janë heronjtë e skuadrës krutane, kurse Emiljano Çela, trajneri i ri i Kastriotit, e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Goli i Grecës në të 14’, teksa e ka dërguar topin në krahun e djathtë të Qirkos i ka dhënë qetësi Kastriotit. Madje Teuta ngacmon pak në sulm, ndërsa ka dhe momente tensioni sidomos në përplasjen mes Hebajt e Huseinit, që Cjapi e ka zgjidhur me kartonë të verdhë për të dy lojtarët.
Kastrioti zgjedh të luajë dhe përtej lojës së rregullt, ndërsa ndërhyrja e rëndë e Ramit ndaj Plakut shënon një tjetër karton të verdhë për vendësit. Dëmtimet e Kodrës, Grecës dhe Selmanin vetëm sa vonojnë përfundimin e pjesës së parë, që shkon përtej minutës së 51-të. 1-0 për Kastriotin, kurse Sali është treguar i saktë në provën e Plakut për të befasuar në të 45’. Pjesa e dytë sheh në dukje një Teutë më kërkuese, ndërsa në të 52’, Kotobelli ndalet nga pritja e Salit.
Okebugu paralajmëron golin e dytë të vendësve, që në të 72’ ka firmën e Ajazit, i cili ka shfrytëzuar një pritje të pasaktë të Qirkos. Hebaj në të 83’ nga distanca ndalet përsëri nga Sali, kurse fundi i lojës shënon dhe nervovizëm për trajnerin Çela, i cili për protestë merr kartonin e verdhë. Përfundimisht, Kastrioti e nis me fitore vitin 2022, kurse Teuta vështirëson gjithçka, teksa shënon humbjen e tretë radhazi. Që do të thotë se rikthimi i Martinit në krye të pankinës përsëri nuk po ndryshon asgjë për “djemtë e detit”.