Tuesday, April 23, 2024

Sot është “VLLAZNIA DAY”, t’i mbështesim pa kushte “burrneshat” e Shkodrës

Lexo

Nga Prof. Dr. Xhevdet ZEKAJ

Sot është “VLLAZNIA DAY”. Sytë e të gjithë shqiptarëve, sidomos të futbolldashësve, janë nga stadiumi “Loro Boriçi”, ku do të luajë hiç më pak se Real Madridi. Po, po, Real Madridi, por jo skuadra e Carlo Ancelotti, kampionia në fuqi e Spanjës dhe Europës, por e njëjta “markë”.

Më saktësisht, skuadra e bardhë e femrave. Diçka historike për kryeqendrën e veriut, Shkodrën, ashtu edhe për krejt vendin tonë. Vajzat kuqeblu ia kanë bërë këtë dhuratë të madhe qytetit të tyre, por edhe krejt shqiptarisë, duke u kualifikuar si kurrë më parë në grupet e Ligës së Kampionëve.

Një arritje historike, që inaugurohet sot me ndeshjen historike Vllaznia-Real Madridi për femra. Sigurisht, duke ditur traditën e futbollit të femrave në vendin tonë, por edhe mbështetjen e pamjaftueshme financiare në përgjithësi deri para dy-tri vitesh, Vllaznia e femrave i ka tejkaluar pritshmëritë edhe të më optimistit. Vajzat kuqeblu kanë hyrë në histori, ndaj çfarë mund të arrijnë më shumë është “qershia mbi tortë”.

Asnjë presion mbi to, asnjë kritikë, por vetëm përulje dhe nderim për gjithë çfarë kanë bërë deri më tani. Mirënjohje e pakufishme karshi “burrneshave” të Shkodrës, presidentit Lazër Matija, i cili është strategu i palodhshëm i këtij suksesi mbresëlënës.

Mbështetja e tij financiare, këmbëngulja sportive janë për t’u marrë shembull nga kushdo që dëshiron të ketë sukses në një sipërmarrje sportive, futbollistike. Me siguri, Matija ka zbrazur xhepat e vet për t’ia arritur kësaj dite, por gjithçka duket e përligjur. Të ardhurat financiare që rrjedhin nga UEFA për kualifikimin në fazën e grupeve të Champions League janë të bollshme për arkat e një klubi shqiptar, aq më tepër për femra.

Tashmë çdo pikë e marrë (që përkthehet në financa ekstra) do të jetë diçka madhështore, historike. Prandaj, për t’u bërë edhe ne pjesë e kësaj historie të ndritshme për futbollin shkodran dhe atë shqiptar, në rastin konkret të femrave, duhet t’i mbështesim fort vajzat kuqeblu.

Ata që munden duke qenë sot në “Loro Boriçi”, për ta bërë si duhet rolin e të ashtuquajturit “lojtari i 12-të”, ndërsa të tjerët përmes rrjeteve sociale, ekranit televiziv, me çfarë të munden. Urime nga zemra vajzat kuqeblu, krenaria e Shkodrës dhe e krejt shqiptarisë! Luani me zemër, me krenari, por pa asnjë presion mbi vete ndaj Real Madridit, sepse ju e keni shkruajtur tashmë emrin me germa të arta…

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img