NK Medjugorje-Vllaznia, është ndeshja miqësore, e cila do të luhet pasditën e sotme duke nisur nga ora 18:30. Kjo është miqësorja e parë nga tre të tilla që kuqeblutë kanë planifikuar të zhvillojnë gjatë qëndrimit në Bosnje për fazën përgatitore, ndërkohë që dy të tjerat pritet të jenë përballë NK Igman Konjiç dhe NK Posusje.
Nga sa bëhet e ditur, kundërshtari i sotëm, skuadra vendase NK Medjugorje është i nivelit të kategorisë së dytë të futbollit boshnjak, ndërkohë dy përballjet e tjera të mëvonshme do të luhen ndaj skuadrave të kategorisë së Superligës.
Për teknikun Migen Memelli, i cili prej rreth dy javëve, fillimisht në Shkodër dhe tashmë që prej së mërkurës në Bosnje, zhvillon përgatitjet në krye të skuadrës kuqeblu, sot do të jetë prova e tij e parë në drejtimin e Vllazninë në një ndeshje zyrtare.
Ndonëse sfida e sotme është e karakterit miqësor, ajo konsiderohet shumë e rëndësishme, jo vetëm për vete Memellin, por në të njëjtën kohë edhe për opinionin sportiv shkodran dhe më gjërë për të parë zgjedhjet që ai po projekton në drejttim të ndërtimit të formacionit.
Me shumë interes pritet kjo ndeshje edhe nga drejtuesit e klubit Vllaznia, të cilët pritet të jenë prezent në Bosnje për të parë nga afër paraqitjen e skuadrës kuqeblu pas periudhës së riorganizimit të stafit teknik si dhe të lojtarëve.
Realisht, pas largimit të gjithë atyre futbollistëve titullarë të sezonit të kaluar nuk do të jetë aspak e lehtë për të formatuar njëmbëdhjetëshen e parë, i cili pritet një harmonizim mes pjesës që ka mbetur kuqeblu nga sezoni i kaluar me kontigjentin e ri të ardhur në skuadër.
Këto tre miqësore të planifikuara në tokën boshnjake pritet të jenë baza për të skuadrën skuadrën e cila do të përballet në dy ndeshjet e turit të parë të Uefa Europa Conference League, ku shorti i ka vënë kuqeblutë të ndeshen me skuadrën Nga Irlanda e Veriut, Linfield FC, ku ndeshja e parë do të luhet me datë 13 Korrik, ora 19:45, në National Football Stadium at Ëindsor Park, Belfast, Irlandë e Veriut, ndërkohë që ndeshja e kthimit do të jetë dy javë më pas, më 20 Korrik në stadiumin “Loro Boriçi”, ku do të vendoset edhe fati i kualifikimit për në turin e dytë.