Ora 14:00 e ditës së mërkurë përballë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, Vllazninë vendase dhe Flamurtarin mysafir. Për nga emrat që mbartin në vetvete, duket se kemi të bëjmë me një duel të rëndësishëm të kategorisë Superiore, siç e kanë pasur në traditë këto dy skuadra.
Por, përballja e sotme është për llogari të Kupës së Shqipërisë, ku turi i parë përfshin në garë edhe skuadra të kategorisë së parë, madje edhe të dytës. Kështu që, Flamurtarin e kategorisë së parë, shorti e vuri përballë Vllaznisë së Superiores dhe njëkohësisht, fitueses së dy trofeve të fundit të Kupës së Shqipërisë.
Sfida e parë e luajtur dy javë më parë në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës u fitua me rezultatin 2-1 nga vlonjatët, rezultat ky që i ka bërë optimist për kualifikimin në turin e dytë, Por, për ta bërë realitet një gjë të tillë, ato duhet ta ruajnë këtë avantazh edhe në ndeshjen e kthimit që luhet sot në Shkodër.
Në pritje të këtij dueli, skuadra e Flamurtarit, mbrëmjen e së martës ka mbërritur në qytetin verior dhe së abshku me të ka udhëtuar edhe presidenti Sinan Idrizi. Duke folur për këtë pragndeshje, numri një i klubit vlonjat shprehet optimist për kalimin e turit. “Lojtarët e Flamurtarit e fituan ndeshjen e parë. Tani duhet të fitojnë edhe të dytën. Kaq është e gjitha. Ky Flamurtar e kam thënë edhe më përpara se i ka mundësitë për ta mundur sërish Vllazninë dhe për t’u kualifikuar për në turin tjetër të Kupës”, është shprehur presidenti Idrizi.
Në të njëjtën linjë me presidentitn Idrizi, shprehet edhe kapiteni i Flamurtarit, Andi Ribaj, futbollit ky që më heret ka luajtur edhe për Vllazninë e Shkodrës. Për Ribajn, fitorja e ndeshjes së parë në Vlorë i bën ato shumë optimist për të kërkuar kualifikimin në Shkodër. “Ndonëse luajmë këtë sezon në kategorinë e parë, shumë shpejt, që nga sezoni i ardhshëm jemi gati ti bashkohemi Superiores për të shkuar në ato nivelet e pritshme të Flamurtarit. Ndërkohë, me këtë brum futbollistësh që kemi në dispozicion, një pjesë e mië e të cilëve kanë përvojë të gjatë Superiore, ne jemi në gjendje të eleminojmë Vllazninë, dhe këtë do ta kërkojmë sot në Shkodër”, theksoi Ribaj.