Pas Superliges të të rriturve, Kategorisë së parë, të dytë, si dhe Superliga e moshave, pasditen e së martes ka startuar edhe Superliga e 21 vjeçarëve. Një kampionat ky, që edhe vite më parë ka funksionuar në Shqipëri i emërtuar si kampionati i Shpresave, ndërkohë që këtë sezon vjen për herë të parë me një sistem të tillë. Kalendari i javës së parë e ka përcaktuar Vllazninë të jetë udhëtuese duke qënë mysafire në qytetin e Durrësit përballë Teutes vendase që drejtohet nga trajneri Gentjan Begeja. Për 21 vjeçarët kuqeblu të Vllaznisë me trajner ish futbollistin shkodran Fatjon Hasani, udhëtimi drejt qytetit bregdetar ishte i dyti në harkun kohor të pak ditëve kur kemi parasysh miqësoren përgatitore mes këtyre dy skuadrave të fituar nga Vllaznia me rezultatin 2 me 4. Duket se testi miqësor ka qënë real, sepse suksesi i kuqebluve përsëritet edhe në ndeshjen e parë zyrtare, këtë radhë me shifrat 1 me 2. Referuar ecurisë së takimit, pjesa e parë është mbyllur me rrjeta të paprekura 0 me 0, ndërkohë dy minuta nga fillimi i së dytës është Eraldo Deda që me golin e tij kalon në avantazh Vllazninë. Pas disavantazhit, përpjekjet e vendasve shtohen në kërkim të golit të barazimit, të cilin e gjejnë në minutën e 80-të me anë të Oshafit që është edhe në formën e një autogoli të shkodranëve në portën e tyre. Kuqeblutë nuk pajtohen me barazimin dhe duke mos qënë të kënaqur me një pikë në këtë transfertë të parë i shtojnë edhe më shumë veprimet sulmuese në kërkim të golit të avantazhit, të cilin e gjejnë pikërisht në minutën e 84-tërt, këtë radhë me anë të Brendon Stafes. Me këtë fitore, Vllaznia U-21 jep sinjalet e një skuadre pretendente për këtë kampionat, por më së shumti jep garancitë e duhura, që me kontigjentin e lojtarëve cilësorë që ka në dispozion, është një mbështetëse serioze për furnizimin e ekipit të pare me lojtarët e duhur.
Ndeshjet e tjera të kësaj jave dhanë këto rezultate:
Kukësi-Apolonia 1-1, Bylis-Tirana 3-0, Laçi-Dinamo 3-0, Shënkolli-Football Republic 3-0, Akademia e Futbollit-Kastrioti 1-8.