Turbina 3 dhe Vllaznia 5. Ky është rezultati i ndeshjes të luajtur pasditen e sotme në Cërrik në mes ekipit vendas Turbina dhe Vllaznisë mysafire i vlefshëm për javën e dhjetë të Kampionatit Kombëtar të U-21 për kategorinë Superiore. Kuqeblutë e drejtuar nga trajnerët Fatjon Hasani dhe Nefail Zhejani arritën një tjetër fitore të rëndësishme, e cila vazhdon t’i mbajë në vendin e parë të tabelës së klasifikimit, që tashmë me tre pikëshin e marrë në Cërrik, mbërrijnë në kuotën e 25 pikëve.
Takimi në Cërrik fillon më mirë për Vllazninë duke kaluar e para në avantazh me anë të Xhahysës që shënoi në minutën e 18-të, ndërkohë që vendasit arrijnë të barazojnë në minutën e 34-tërt me anë të Luiz. Dy minuta nga mbyllja e pjesës së parë është përsëri Vllaznia që arrin të shënojë. Këtë radhë autor është Klaudio Leka duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me fitoren e kuqebluve me rezultatin 1 me 2.
Me rikthimin në fushë për pjesën e dytë, Vllaznia shënon shumë shpejt, në të 48-tën golin e tretë me autor Deden. Është po ky futbollist që në të minutën e 54-të shënon golin e katërt duke e thelluar në 1 me 4 avantazhin kuqeblu. Goli i Hasajt për vendasit në minutën e 71-të e ngushton rezultatin në 2 me 4, por në të 74-tën minutë ka tjetër gol për Vllazninë me autor Çobën, i cili e çon në 2 me 5 avantazhin kuqeblu, ndërkohë që goli i Malajt për Turbinën në minutën e 76-të vlen vetëm për statistikë për të fiksuar shifrat 3 me 5 në favor të Vllaznisë.