Pas një seri fitoresh të njëpasnjëshme, ekipi i Vllaznisë U-21 është frenuar me një humbje në shtëpi. Dhe, këtë ia ka shkaktuar Kukësi U-21 duke e mundur me rezultatin 1-2.
Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës” në kuadrin e javës së 11-të të kategorisë Superiore për U-21 ka prezantuar një Vllazni larg imazhit të saj të javëve të mëparshme. Megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, pjesa e parë e kësaj ndeshje u duk sikur po fiksonte një barazim pa gola Por, dy minuta përpara se arbitri t’i dërgonte skuadrat në dhomat e zhveshjes për pushimin 15-të minutësh, ka qënë Rasha për miqtë që shënon në portën e Vllaznisë duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me fitoren e Kukësit me rezultatin 0 me 1.
Në 45 minutat e dyta pritej një Vllazni më agresive në kërkim të golit të barazimit, por atë që nuk arrijnë ta bëjnë vendasit e bën skuadra mysafire nga Kukësi që tund përsëri rrjetën në minutën e 51-të. Këtë herë autori është Hallaçi, një mbiemër i njohur i futbollit kukësian. Bëhet fjalë për të riun e talentuar Valdrin Hallaçi, djalin e gazetarit të mirënjohur kukësian Jonuz Hallaçi, si dhe nipin e trajnerit aktual të Kukësit U-21, Rrahman Hallaçi, i cili njëkohësisht drejton edhe në ekipin e parë përkrah trajnerit të parë Mirel Josa.
E gjendur në disavantazh të dy golave, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Fatjon Hasani bën të gjitha përpjekjet për të barazuar rezultatin, dhe pse jo edhe për fitoren. Por, nuk shkon më shumë se shënimi i një goli, i cili regjistrohet në minutën e 81-të me autor Uhejdi Hoxhën që shndërron në gol një penallti të dhënë në favor të kuqebluve. Gol, i cili vlen vetëm për statistikë, sepse në përfundim të ndeshjes rezultati është Vllaznia 1 dhe Kukësi 2.
Humbja e sotme në shtëpi për Vllazninë rrezikon kryesimin e kampionatit. Një gjë e tillë varet nga rezultati që do të regjistrojë skuadra e Laçit që luan në mesjavë ndeshjen e javës së 11-të, ku në rast fitoreje barazohet me pikë me shkodranët që janë në krye të renditjes me 25 pikë. Ndërkohë, me fitoren e regjistruar sot në Shkodër, Kukësi shkon në kuotën e 22 pikëve duke marrë vendin e tretë në renditje.
Gaspër MARKU