Pas barazimit në shtëpi me Dinamon, Vllaznia U-21 bën një tjetër hap të gabuar teksa barazimi i sotëm me Tiranën i jep mundësi dy rivalëve, Bylis dhe Dinamo të shkëputen me tre pikë më shumë në krye të tabelës së klasifikimit.
Përballja e klasikes së futbollit shqiptar për kategorinë e 21 vjeçarëve e luajtur në fushën sportive “Skënder Halili” të kryeqytetit ka filluar mirë për kuqeblutë e drejtuar nga anglezi Sibson, të cilët kanë kaluar në avantazh që në minutën e 14-të me anë të Armir Osmanit.
Avantazh, ky që qëndron në fuqi deri në fund të pjesës së parë. Por, pas pushimit 15-të minutësh mes dy pjesëve, bardheblutë kthehen në fushë me një ritëm tjetër dhe pas katër minutash është Nikqi që barazon rezultatin në 1 me 1.
Edhe pse u krijua përshtypja se Tirana do të shënonte shumë shpejt edhe golin tjetër të avantazhit, realisht kaluan minuta të tëra në barazhpeshë të rezultatin. Dhe, pikërisht kur u mendua kjo ndeshje po mbyllej në barazim, është Zhivani që shënon tre minuta nga fundi golin e avantazhit për bardheblutë. Ndërkohë që limitin e krejt takimit Gledjan Pusi shënon golin e dytë për Vllazninë duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me rezultatin e barabartë 2-2.
Dy pikë të tjera të humbura për Vllazninë e cila mbet në kuotën e 25 pikëve. Ndërkohë dy rivalet e saj për titullin kampion, Dinamo dhe Bylis kanë fituar duke shkuar në kuotën e 28 pikëve, tre më shumë sesa Vllaznia. Blutë kanë sfiduar Partizanin në derbin e kryeqytetit duke e mundur 1-0 me gol të shënuar nga Koka në minutën e 73-të. Ndërkohë, tre pikët e radhës Bylis i ka marrë në tavolinë për mosparaqitje të Laçit që ishte kundërshtari i sotëm për tu ndeshjes në “Adush Muça” të Ballshit.