Teuta-Vllaznia 0-0
Teuta: Dema, Hoxha, Zaimaj, Bebeziqi, Kapllani, Treni, Salillari, Muka, Tepshi, Miftiu, Halilaj(U aktivizuan: Duka, Çyrbja, Qorri, Mala). Trajner: Getjan Begeja.
Vllaznia U21: Shkoza, Pusi, Paloka, Delaj, Dulaj, Bizi, Maliqi, Pjeshka, Peku, Musaraj, Bushaj( U aktivizuan: Osmani, Aliu). Trajner: Elvis Plori.
Vllaznia U-21 ka qënë mysafire në Durrës duke u ndeshur me skuadrën vendase, Teuta U-21. Ndeshja e e zhvilluar në aneksin e stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit ka qënë e vlefshme për javën e 11-të të Superligës së 21 vjeçarëve.
Kuqeblu e drejtuar nga trajneri Elvis Plori vinin në këtë ndeshje pas fitores në shtëpi ndaj Tiranës me rezultatin 2 me 1, dhe ndeshja në Durrës përballë vendit të fundit në renditje ishte një mundësi e mirë për të marrë tre pikët e plota dhe për tu ngjitur në renditje.
Por, nga ana tjetër, skuadra durrsake e drejtuar nga trajneri Gentjan Begeja ka bërë një paraqitje të mirë duke arritur të ndalë Vllazninë pretendente për titull.
Për tu theksuar është se në formacionin e durrsakëve është aktivizuar nga minuta e parë shkodrani Klevis Bebeziqi, futbollist që në fakt është pjesë e kontigjentit të ekipit të parë të Teutës, por duke qënë pushim Superliga e të rriturve, është thirrur nga trajneri Begeja të luajë për skuadrën e 21 vjeçarëve. Pasi ka lënë pas një dëmtim që e la pushim për 2-3 javë, 19 vjeçari i talentuar Klevis Bebeziqi që i përket repartit të mesfushës, i ardhur nga kampionati slloven ku luajti sezonin e kaluar, ka spikatur si një ndër më të mirët në fushën e lojës.
Ndërkohë, në formacionin e Vllaznisë U-21, i cili krahas kontigjentit të përhershëm ka pasur elementë nga skuadra e parë kuqeblu, duhet thënë se nuk është dhënë ajo që pritej prej tyre.
Për hirë të së vertetes, Vllaznia e ka dominuar plotësisht ndeshjen, por pa arritur të shënojë asnjë gol, duke u kthyer Shkodër me vetëm një pikë. Një barazim ky, që duke pasur parasysh se luhej ndaj vendit të fundit në renditje, përkthehet si humbje për Vllazninë U-21, e cila me këto 2 pikë të lënë në Durrës humb shansin të shkurtonte diferencen me kryesuesit e tabelës së klasifikimit.
Kështu, duke qënë në kuotën e 18 pikëve të grumbulluara, për momentin Vllaznia U-21 mbetet në vendin e tretë të renditjes. Ndërkohë, tabelën e klasifikimit e kryeson Bylis me 23 pikë, Dinamo e dyta me 21 pikë, por që të dy ekipet në fjalë kanë një ndeshje më pak për të luajtur, që nëse i fitojnë, diferenca me Vllazninë rritet edhe më shumë.