Pas një seri barazimesh, Vllaznia U-21 duket se ka gjetur çelsin e fitores. Pas asaj të realizuar në Shkodër ndaj Korabit të Peshkopisë me rezultatin 3 me 1, për 21 vjeçarët e drejtuar nga trajneri Ergi Borshi vjen edhe fitorja e dytë radhazi.
Këtë radhë kuqeblutë fitojnë në transferte ndaj ekipit të Teutës me rezultatin 0 me 1. Autori i golit të fitores, është Klaudio Kodra, i cili nga ndeshja në ndeshje po e justifikon besimin e dhënë nga trajneri Ergi Borshi.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, Kodra, shprehet i kënaqur me tre pikëshin e marrë, aq më tepër që goli në Durrës ishte i dyti për të pas atij ndaj dibranëve javën e kaluar
Në vijim, Kodra që vjen pas një përvoje pozitive në ekipet zinxhir të Akademisë Vllaznia, vlerëson bashkëpunimin me trajnerin Ergi Borshi, të cilin e vlerëson për larminë e proçesit stërvitor, si dhe për ngrohtësinë që ai i jep futbollistëve të tij, që sipas Kodrës, i konsideron si shok, gjë që ua bën më të lehtë punën atyre për të zbatuar me përkushtim detyrat e dhëna nga trajneri.
Pas javes së shtatë, Vllaznia renditet në vendin e gjashtë me 10 pikë, por që në javët e ardhshme, objektivi është për të kapur treshën kryesuese të kampionatit. Dhe, një gjë e tillë arrihet vetëm duke regjistruar fitore, të cilën e synojnë edhe ndaj Vorës që do të luhet në stadiumin “Reshit Rusi” në kuadrin e javës së shtatë të Superligës U-21.