Liga Unike “Shqipëri – Kosovë” në basketboll për meshkuj, kjo në edicionin e saj të tretë, tashmë është pezulluar. Shkak për këtë, të paktën edhe sipas vendimit të Bordit Drejtues të Ligës Unike, i shpallur të premten në mbrëmje, është bërë tërheqja e Tiranës dhe Teutës nga aktiviteti. Edhe pse ka patur një mbledhje të gjatë me drejtuesit e të dy skuadrave, pra Tiranës dhe Teutës, ka qenë e pamundur bindja për të vazhduar garën.
Tirana së pari ka vënë si shkak gjykimin e njëanshëm në kampionat, dhe rasti më konkret është ndeshja e fundit me Besëlidhjen, e humbur me një pikë diferencë, 92-93, e së dyti pamundësitë financiare. Gjë të cilën e ka bërë edhe Teuta, e cila ka shkuar dhe më tej, teksa ka kërkuar që Liga Unike e basketbollit të meshkujve të jetë e pavarur nga Federata respektive të koshit në Shqipëri dhe Kosovë.
Parë kështu Bordi Drejtues i Ligës Unike do të rimblidhet përsëri për të vendosur ristrukturimin e kësaj gare. Ajo që duhet kujtuar është se fituesi i parë ishte Golden Eagle Ylli, kurse i dyti Peja. Tanimë në të tretin janë tërhequr të gjitha ekipet shqiptare, ndërsa ndeshja e fundit ishte Apolonia – Ponte Prizren 69-87. Sigurisht që nuk është një situatë normale, aq më tepër që të gjithë i dinë diferencat financiare mes ekipeve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Dhe pjesëmarrja në edicionet e ardhshme nuk do të jetë me katër ekipet e renditura në vendet e para në kampionate, por me dëshirë, çka do të thotë se mund të jetë dhe skuadra e pestë, apo e gjashtë që mund të shkojë në këtë Ligë Unike.
Gjithçka mbetet për t’u parë, por tashmë është fakt i kryer që Liga Unike “Shqipëri – Kosovë” në basketboll për meshkuj nuk do të vazhdojë më tej. Tanimë për sezonin 2022-2023 Liga Unike “Shqipëri – Kosovë” do të vijojë me ekipet e femrave në sezonin e dytë të këtij aktiviteti.