Erzeni është një nga skuadrat më aktive në këtë sesion të merkatos. Pas largimit të disa futbollistëve, klubi shijakas po vazhdon që të plotësojë organikën në dispozicion të teknikut Deliallisi.
Afrimi më i fundit tek skuadra shijakase është sulmuesi maroken Younes Bnou Marzouk. 27-vjeçari ka qenë edhe pjesë e Juventusit në Serie A vite më parë, ndonëse nuk luajti asnjë ndeshje me skuadrën e parë të bardhezinjve.
Marokeni ka luajtur për klube të ndryshme në Evropë si: Lugano, Chiasso apo Rapidin e Bukureshtit dhe tashmë do të nisë një eksperiencë të re në karrierë me fanellën e Erzenit.
Arlind Dakaj, Silvio Zogaj, Auron Ademi, Florijan Kadriu dhe Bruno Puja janë lojtarët e tjerë që i janë bashkuar Erzenit gjatë merkatos së janarit.