Thursday, March 28, 2024

Turneu ‘“Josip Katalinski Škija”/ Shqipëria debuton me barazim ndaj Bosnje-Hercegovinës

Lexo

Kombëtarja shqiptare U-15 zhvilloi mesditën e sotme ndeshjen e parë të turneut ‘“Josip Katalinski Škija” ndaj vendit pritës, Bosnje-Hercegovinës. Ndeshja e zhvilluar në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare të Bosnje – Hercegovinës u fitua nga boshnjakët e vegjël, të cilët triumfuan 5-4 me penallti, pasi koha e rregullt e takimit u mbyll me shifrat e barabarta 1-1.

Trajneri Dama hodhi në fushë këtë 11-she titullare: Simon Lleshi (GK), Rey Jushi, Frensi Mali, Petro Marku, Dion Vata, Edin Jakupi, Majkol Luka (C), Denaldo Hyka, Ismail Ademi, Arbër Lleshi, Denis Matraku.

Pjesa e parë e takimit ishte mjaft e balancuar nga të dyja ekipet, pa shumë raste në portat kundërshtare. Kuqezinjtë e vegjël kontrolluan mirë topin, teksa në minutën e 18-të, Arbër Lleshi pati mundësinë më të mirë për të shënuar, duke lëshuar një top të fortë nga jashtë zone, por topi përfundon jashtë vijës fundore. pjesa e parë mbyllet me rezultatin e bardhë 0-0.

Në fillim të pjesës së dytë, trajneri Dama bën tre zëvendësime në 11-shen titullare, duke rifreskuar skuadrën kuqezi me Erion Shkëmbin, Reinald Krrashin dhe Dionis Perën. Kuqezinjtë tregohen më të rrezikshëm në këtë fraksion të dytë të lojës, teksa traversa e ndan Shqipërinë nga goli. Kapiteni Majkol Luka merr përsipër një goditje dënimi me një distancë prej rreth 35 metrash. Topi godet traversën boshnjake, duke i mohuar kështu kuqezinjve të vegjël golin e epërisë.

Bosnje-Hercegovina kalon e para në avantazh pas një goli të shënuar në minutën e 44-t të takimit nga Deket Matej. Avantazhi i boshnjakëve nuk i step kuqezinjtë, të cilët gjejnë golin e barazimit në minutën e 56-të të takimit. Pas një goditje nga këndi të ekzekutuar nga Erion Shkëmbi, portieri boshnjak gabon duke grushtuar topin, teksa në zonë gjendet Etrit Gjuzi, i cili dërgon topin me kokë në rrjetë duke barazuar rezultatin. Pjesa e dytë e takimit mbyllet me barazimin 1-1 dhe skuadrat i drejtohen penalltive, ku boshnjakët tregohen më të saktë dhe triumfojnë me shifrat 5-4.

Shqipëria U-15 do të zhvillojë takimin tjetër të turneut nesër ndaj Celikut të Zenicës në ora 13:00 në Qendrën Stërvitore të Ekipeve Kombëtare të Bosnje – Hercegovinës.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img