Aarhus-Egnatia 1-1(Shënues: Bogere 49’ /Ildi Gruda 13’)
Egnatia ka mar një pikë në transfertë ndaj Aarhus duke barazuar 1-1 në ndeshjen e dytë të fazës së grupeve të UEFA Conference League.
Skuadra rrogozhinase pati mundësinë të largohej me tri pikë nga Danimarka por nuk arriti të shfrytëzonte epërsinë numerike për pjesën më të madhe të takimit.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për kampionët e Shqipërisë kjo pasi në minutën e tretë Kahl u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje ndaj Grudës i cili po drejtohej drejt portës si lojtari i fundit i mbrojtjes daneze.
Egnatia përfitoi nga superioriteti numerik dhe kaloi në avantazh në minutën e 13-të.
Pas një aksioni të shpejtë Adjesa shërbeu për Grudën i cili u tregua i saktë përballë portierit Hansen duke kaluar rrogozhinasit në epërsi.
Megjithatë pjesa e dytë solli një tjetër tablo të ndeshjes. Arhus reagoi dhe arriti të barazonte shifrat në minutën e 49-të me Bogere i aktivizuar në fillimin e fraksionit të dytë.
Vendasit treguan karakter ndërsa Egnatia nuk arriti të përfitonte nga avantazhi i një lojtari më shumë në fushë.
Pavarësisht përpjekjeve për të rikthyer epërsinë skuadra shqiptare u detyrua të kënaqej me një pikë.
Një rezultat që lë shije të hidhur pasi rrethanat e takimit i jepnin Egnatias mundësinë për të synuar fitoren.
Pas dy ndeshjeve në këtë fazë Egnatia numëron dy pikë ndërsa Arhus regjistron pikën e parë.
Në sfidën e radhës rrogozhinasit do të udhëtojnë drejt Rumanisë për t’u përballur me Universitatea Craiova me synimin për të marrë një rezultat pozitiv.
Fatos LAMAJ


