Gjithçka gati për të mirëpritur ndeshjet e Grupit H të fazës para-eliminatore të Futsal Champions League 2023/24, që do të luhen në Tiranë e nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Të gjitha takimet do të luhen në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të kryeqytetit, ndërkohë që UEFA ka njoftuar të palët për një ndryshim në kalendarin e grupit.
Skuadra Cefn Druids nga Uellsi është tërhequr nga gara dhe nuk do të marrë pjesë në këtë turne, duke bërë që Grupi H të mbetet me vetëm tre ekipe e më konkretisht Tirana Futsal, KMF Radnik Bijeljina (Bosnje-Hercegovinë) dhe Sparta Belfast (Irlanda e Veriut).
Nga 6 takime që ishin parashikuar në total do të luhen vetëm tre tilla, me sfidën hapëse që do të luhet të mërkurën e 23 gushtit mes KMF Radnik Bijeljina dhe Sparta Belfast, që do të nisë në ora 17:00.
Më 24 gusht do të luhet ndeshja Tirana Futsal – Sparta Belfast, duke filluar nga ora 20:45, kurse sfida e treta që mund të vendosë fatet e grupit do të luhet më datë 26 gusht, Tirana Futsal – KMF Radnik Bijeljina në ora 20:45.
Në këtë fazë do të marrin pjesë 32 skuadra europiane të ndara në 8 grupe me katër ekipe secila dhe në turin tjetër kualifikohen 9 ekipe, e më konkretisht 8 skuadrat e renditura në vendet e para dhe vendi i dytë më i mirë nga të gjitha grupet. Ky është edicioni i tretë radhazi që ndeshjet e njërit prej grupeve të Futsal Champions League zhvillohen në Shqipëri.
Më poshtë edhe kalendari i ndeshjeve të Grupit H në fazën para-eliminatore të UEFA Futsal Champions League:
UEFA Futsal Champions League 2023/2024
Kalendari i ndeshjeve të Grupit H
Dita e parë / 23 gusht
KMF Radnik Bijeljina (BIH) – Sparta Belfast (NIR)
Ora 17:00
Cefn Druids (WAL) – Tirana Futsal (ALB)
(E anuluar)
Dita e dytë / 24 gusht
Cefn Druids (WAL) – KMF Radnik Bijeljina (BIH)
(E anuluar)
Tirana Futsal (ALB) – Sparta Belfast (NIR)
Ora 20:45
Dita e tretë / 26 gusht
Sparta Belfast (NIR) – Cefn Druids (WAL)
(E anuluar)
Tirana Futsal (ALB) – KMF Radnik Bijeljina (BIH)
Ora 20:45