Ndonëse Kampionati i Ligës së Parë të Kosovës ka edhe një javë për të luajtur, FC Drenica, është shpallur kampione për edicionin 2024/25, duke siguruar kështu rikthimin në elitën e futbollit kosovar, AlbiMall Superligë, vetëm një vit pas rënies nga ajo.
Një gjë të tillë e siguroi pas fitores 3-1 ndaj Istogut, ndeshje kjo e luajtur në stadiumin “Bajram Aliu” të Skenderajt, shoqëruar me një atmosferë shumë entuziaste krijuar nga tifozët ‘Shqiponjat e Zeza’ dhe gjithë qytetarët të Skenderajt.
Pjesë e këtij suksesi është edhe futbollisti shkodran, Antonio Marku, i cili pas një sezoni cilësor me Teutën e Durrësit në Abissnet Superiore, u rikthye në Kosovë duke kontrbuar në rikthimin e Drenicës në Superligë.
Pas ndeshjes, u organizua ceremonia zyrtare e ndarjes së trofeut dhe medaljeve për kampionët. Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ndau trofeun e kampionit, të cilin e pranuan bashkë kapiteni Shkëlzen Lushtaku dhe sulmuesi vendimtar i ndeshjes, Igball Jashari. Ndërkohë, medaljet u ndanë nga anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Xhelal Broja dhe Ismajl Ajeti, si dhe kryetari i Ligës Rajonale të Futbollit në Mitrovicë, Bardhec Seferi.
Ndërkohë, presidenti Ademi ka postuar një mesazh urimi në të cilin theksohet: “Përgëzojmë FC Drenica për titullin e kampionit në Ligën e Parë – Grupi A dhe rikthimin e merituar në elitën e futbollit kosovar. Realizimi i këtij objektivi erdhi si rrjedhojë e përkushtimit të futbollistëve, stafit teknik dhe të gjithë strukturave të klubit, të cilët punuan me përkushtim për t’i kthyer ngjyrat kuqezi aty ku e kanë vendin – në Superligë. FC Drenica është një emër me traditë në futbollin tonë, andaj rikthimi në Superligë i jep edhe më shumë vlerë dhe konkurrencë garës në elitë”, ka shkruar kreu i FFK-së.
(Video) Pamje nga ndeshja e FC Drenica-Istogu, 3-1, ceremonia e dorëzimit të medaljeve dhe trofeut nga president ii FFK, Agim Ademi, si dhe intervisat me trajnerin e FC Drenicës, Bylbil Sokoli, kapitenin Shkëlzen Lushtaku, presidentit të FC Drenica, Xhavid Rreci dhe presidenti të Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, Edmond Thaçi.