(Video) BOKS-Nis Turneu Ndërkombëtar “Memorial Vllaznia 2025”. Emanuel Koço dhe Ani Haxhillari fitojnë ndaj italianëve Zamboni dhe Krug. Të dielën finalet dhe 3 ndeshjet profesioniste

Ka nisur pasditen e së premtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës Turneu Ndërkombëtar Memorial i boksit “Vllaznia 2025”. Aktivitet, ky që organizohet nga Shoqata e Boksit Vllaznia nën përkujdesjen e presidentit të boksit shkodran, Mondi Ndou, që është njëkohësisht edhe promoter i Fists Of Fire, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Boksit dhe që i kushtohet 14 ish boksierëve shkodranë që sot nuk jetojnë.

Siç është bërë me dije edhe më herët, në tre ditët e para do të konkurohet në boksin amator me tre raunde, me pjesëmarrjen e boksierëve më të mirë të Rajonit, ndërkohë që në mbyllje të ditës së tretë, në ring do të ngjiten boksierët profesionistë me tre duele.

Në ditën e parë, kalendari ka pasur në program katër duele, mes të cilëve në dy prej tyre kanë boksuar përfaqësuesit e Shqipërisë, ku i pari është ngjitur në ring boksieri i peshës deri në 55 kg, Emanuel Koço, i cili kishte përballë boksierin italian Antonio Eros Zamboni. Tre raude të shoqëruara me luftë të fortë sportive, kun ë fund juria i ka dhënë fitoren boksierit shqiptar, vlonjatit Emanuel Koço.

Dueli i dytë i ditës së parë, që i përkiste kategortisë së peshës deri në 60 kg, vuri përballë boksierët italianë dhe malazez, dhe konkretisht, Anton Torres(Itali) dhe Tomislav Dinoviç(Mali i Zi), ndeshje që në fund u fitua nga boksieri malazez, Dinoviç.

Një duel interesant ishte edhe ai i peshës deri në 65 kg, në mes boksierit të njohur shqiptar, Ani Haxhillari dhe italianit, Tarik Mansor Krug, ku falë epërsisë sidomos në raundin e tretë, shoqëruar edhe me një nogdaum në favor të tij, fitorja i takoi Haxhillarit.

Dita e parë është mbyllur me duelin e peshës së deri në 70 kg, mes boksierit italian, Dian Ovrycavazini dhe atij nga Kosova, Loris Idrizi, ku pas një rivaliteti të madhe mes dy boksierëve, në përfundim të tre raundeve, vendimi për fitoren e ndeshjes i takoi boksierit kosovar, Idrizi.

Rezultatet e ditës së parë-Turneu Memoria “Vllaznia 2025”

Pesha 55 kg. Antonio Eros Zamboni(Itali)- Emanuel Koço(Shqipëri), fiton Koço

Pesha 60 kg. Anton Torres(Itali)-Tomislav Dinoviç(Mali i Zi), fiton Dinoviç

Pesha 65 kg. Ani Haxhillari(Shqipëri)-Tarik Mansor Krug(Itali), fiton Haxhillari

Pesha 70 kg. Dian Ovrycavazini(Itali)- Loris Idrizi(Kosovë)

Dita e dytë e Turneut Ndërkombëtar Memorial i boksit “Vllaznia 2025” për boksin amator zhvillohet pasditen e së shtunës, për të vijuar edhe finalet e ditës së tretë që zhvillohet pasditen e së dielës. Ndërkohë, që me njëherë pas përfundimit të konkurimit në boksin amator, organizatorët kanë rezervuar tre duelet e boksit profesionist. Në konkurim për boksin profesionist do të jenë dy boksierët profesionist kuqezi, Alban Beqiri dhe Senad Drini, të cilët do të kenë përballë rivalët e tyre nga Spanja dhe Gjermania, ndërkohë që në program është edhe duel i boksit për femra, Julia Igel (Gjermani)-Reyes(Klumbi).

(Video) Pamje nga ndeshjet e ditës së parë të Turneut Ndërkombëtar të Boksit “Vllaznia 2025” si dhe prononcimet e presidentit të boksit Vllaznia, Mondi Ndou dhe trajnerit Zef Gjoni, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.

Gaspër MARKU

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu