
Pas përfundimit të ceremonisë së shortit të Kupës së Botës 2026, ku Shqipëria, në rast kualifikimi nga play-off-i, do të jetë pjesë e Grupit F me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dha një prononcim për fshf.org, ku vlerësoi eventin dhe foli për kundërshtarët e mundshëm të kuqezinjve.
Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tha se rrugëtimi i Kombëtares për të arritur në Botëror është i vështirë, por theksoi se Shqipëria do të luftojë deri në fund për të qenë pjesë e finaleve.
“Organizimi i shortit ishte fantastik. Vetëm futbolli mund të bëjë që të bashkojë kaq shumë njerëz bashkë, njerëz të rëndësishëm të politikës, njerëz shumë të rëndësishëm të botës së futbollit, por edhe të sporteve të tjera.
Ne jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e këtij eventi të rëndësishëm. Sot ishte dita e parë, pra organizimi i shortit dhe për këtë unë dua të falënderoj futbollistët e ekipit Kombëtar dhe stafin, që na e kanë bërë të mundur të ëndërrojmë për të qenë pjesë e këtij Botërori. Padyshim që rruga jonë është e vështirë. Ne kemi një ndeshje shumë të vështirë kundër Polonisë në Varshavë dhe nëse e kalojmë atë pastaj do të luajmë një ndeshje finale kundër skuadrës fituese Suedisë apo Ukrainës me ëndrrën për të qenë pjesë e Botërorit.
Padyshim të vazhdojmë të luftojmë deri në minutën e fundit dhe unë kam shumë besim te skuadra jonë, te motivimi i tyre dhe dëshira e tyre për të qenë pjesë e Botërorit. Uroj shumë që vërtet ta realizojmë këtë ëndërr, jo vetëm të ekipit të futbollit, jo vetëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, por të gjithë shqiptarëve që e duan shumë futbollin”, – tha Presidenti Duka.


