Në “Loro Boriçi” Vllaznia ka treguar se di të fitojë kundër rrogozhinasve, teksa arriti të marrë tri pikë në fazën e tretë pas suksesit me shifrat 2-1. Egnatian e gëzon fakti se vjen pas një momenti pozitiv, duke regjistruar dy fitore në Superiore. Skuadra e drejtuar nga Edlir Tetova, ndryshe nga takimi i parë kundër kuqebluve, vjen më e konsoliduar, pasi në dispozicion të rrogozhinasve janë rikthyer Arbenit Xhemajli dhe Mario Gjata. E vetmja mungesë për fituesit në fuqi të Kupës është Sebastjan Spahiu, i cili është i pezulluar nga Komisioni i Disiplinës.
Një sezon më parë Egnatia mundi pikërisht Vllazninë, pasi barazoi në transfertë 1- 1 dhe fitoi në shtëpi me rezultatin 1-0. Rrogozhinasit kanë një bilanc pozitiv me ekipin e drejtuar nga Qatip Osmani, ku në 10 takimet e fundit mes dy ekipeve kryesuesit e Superiores kanë regjistruar 7 fitore, 2 barazime dhe 1 disfatë. Skuadra e Tetovës bën llogaritë me dy rezultate, pasi shkon në finale edhe me barazim. Egnatia prej dy sezonesh në Kupën e Shqipërisë vijon të mos humbas asnjë takim, duke u treguar ekip solid në këtë kompeticion.
FORMACIONI – Pikëpyetja e parë është qendra e mbrojtjes, ku me rikuperimin e Arbenit Xhemajlit, Fransua Dylis mund të përfundojë në stol. Plani mund të ndryshojë vetëm nëse Tetiva luan me tre. Malota në qendër dhe Fangaj e Ndreca mbeten të paprekshëm falë paraqitjeve pozitive që kanë zhvilluar. Në mesfushë Albano Aleksi rikthehet në rolin e regjisorit, pasi në dy takimet e fundit ka luajtur si qendërmbrojtës. 31-vjeçari do të ketë përkrah Zejnullain dhe Fernandon. Në të djathtë të sulmit ka një balotazh mes Xhoel dhe Ramës, me këtë të fundit më të avantazhuar. Ibrahimoglu si gjithmonë luan në të majtë, krah Montenegros.
STRATEGJIA – I ndihmuar nga rezultati i takimit të parë, Egnatia luan pa presion dhe do të mundohet ta presë Vllazninë për ta goditur me kundërsulmet. Ekipi i Edlir Tetovës ka dëshmuar këtë sezon se di të dalë shumë shpejt në manovrën sulmuese për të gjetur të papërgatitur prapavijën e shkodranëve. Këta të fundit do të vuajnë edhe mungesën e dy titullarëve si Esin Hakaj dhe Milos Stojanoviç, të cilët u ndëshkuan me karton të kuq në takimin e parë në Rrogozhinë. Egnatia ka lojtarë të shpejtë, të cilët do të mundohen të kapin në vështirësi mbrojtësit vendës për të synuar të gjejnë golin në “Loro Boriçi”.
(Video) Prononcimi i trajnerit të Egnatias, Edlir Tetova, në pragndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë.
Isa HALILI