Kualifikimi i Vllaznisë së volejbollit për femra në gjysëmfinalen e Kampionatit Kombëtar të Superligës është pritur me shumë entuziazëm në kampin kuqeblu. Një kualifikim i merituar që u arrit pas dy fitoreve radhazi që Vllaznia realizoi ndaj ekipit Barleti Volej, 2-3 në Tiranë dhe 3-0 në Shkodër.
Meritë kjo e të gjithë skuadrës, dhe natyrisht e trajneres Nora Deda. Falë përvojës së saj si ish volejbolliste e Vllaznisë dhe kombëtares, profesoresh Nora arriti të përballojë me shumë sukses problemet e shumta që shoqëruan skuadrën, sidomos në periudhën e ndërrimit të viteve, kur skuadra ishte gati drejt shkrirjes.
Ndaj, në këtë moment që Vllaznia është zyrtarisht në gjysëmfinalen e fazës Play Off të kampionatit të Superligës femra, Nora Deda është shfaqur tejet e emocionuar. Dhe, ka të drejtë, sepse nga një skuadër që po shkonte drejt shkrirjes, mbrënjen e së premtes, Vllaznia figuron në katër skuadrat më të mira të kampionatit.
Të gjitha këto e kanë emocionuar aq shumë profesoresh Norën, deri në atë pikë sa nuk ka mbajtur lotët gjatë prononcimit të dhënë për gazetarët shkodranë. Më shumë sesa për ndeshjen dhe vlerat që shfaqi skuadra e saj në dy betejat e Para Play Off ndaj Barletit, trajnerja Deda, u ndal tek falenderimet për ato që mbështeten në momentin e krizës së skuadrës,
Pikë së pari e nisi me grupimin e tifozëve “Vllaznia Diaspora” që ishin të parët në reagimin e tyre, për të vijuar me Bashkinë Shkodër dhe ndonnjë biznes privat, të cilët siguruan fondin e duhur për të hyrë në merkato dhe vazhdimin normal të aktivitetit. Ndaj, sipas saj, ky sukses i arritur në realizimin e objektivit të përfshirjes në katërshën më të mirë të kampionatit, shkon pikërisht për to si dhe tifozët kuqeblu që ndjekin skuadrën në çdo ndeshje.
(Video) Prononcimin e plotë të trajneres Nora Deda, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU