Sunday, July 27, 2025

(Video) Esat Mala, protagonist i Vllaznisë në Kupat e Europës, dy gola përcaktues në dy ndeshje: Shkojmë në Islandë me idenë se rezultati është 0-0, do të tentojmë një kalim historik në turin e tretë të UEFA Conferencë League

Lexo

Me golat e tij përcaktues në dy ndeshjet e fundit, Esat Mala është shndërruar në një protagonist në rezultatet e Vllaznisë. Goli I katërt shënuar në Riga të Letonisë, kualifikoi kuqeblutë në turin e dytë të UEFA Conferencë League, ndërkohë që goli I dytë I shënuar në stadiumin “Loro Boriçi” kundër Vikingur të Islandës vulosi fitoren e ndeshjes së parë duke hapur rrugën e një kualifikimi të mundshëm për ndeshjen e dytë në Rejkjavik të Islandës. 26 vjeçari nga Prizreni që kalon vite të arta tek Vllaznia, ka folur për “Panorama Sport”, pas fitores në Shkodër ndaj Vikingur dhe pragndeshjen e dytë që luhet të enjten ne ardhshme në Rejkjavik.

Mala, gol dhe fitore, i lumtur besoj? 

Jashtëzakonisht shumë i lumtur, jo vetëm unë, por e gjithë skuadra. Mendoj se zhvilluam një ndeshje shumë të mirë të gjithë dhe merituam suksesin. Jam i kënaqur po ashtu për golin, pasi vijon forma e mirë, por më shumë për fitoren e skuadrës. Megjithatë, s’kemi bërë ende asgjë dhe duhet të jemi me këmbë në tokë për ndeshjen e kthimit në Islandë pas një jave.

Keni më shumë besim pas kësaj fitoreje për një kalim më tej? 

Ne e dimë që turi ka ndeshje vajtje-ardhje, prandaj kemi bërë vetëm gjysmën e punës. E dimë që rezultatet mund të përmbysen, ashtu siç bëmë ne me Daugavpils, por ne nuk “fluturojmë” pas kësaj fitoreje. Jemi të përqendruar për të bërë sërish mirë dhe vend për eufori në skuadër s’ka aspak. Festa ka mbaruar dhe tashmë ka vetëm përqendrim te ndeshja e pas një jave.

Pozicion i ri në fushë, por Mala “i vjetër”. Duket se jeni përshtatur mirë me idetë e Martinit… 

Në këtë pozicion pas sulmuesve kam luajtur edhe më përpara dhe po ndihem shumë mirë edhe aktualisht. Me sistemin që kemi ne, me dy sulmues dhe unë pas tyre, po jap maksimumin nga vetja ime. Dhe kjo shihet edhe nga dy golat dhe 1 asist që kam dhënë në këto 3 ndeshje të Europës. Dua që të vijoj në këtë formë së bashku me skuadrën për të arritur rezultate sa më pozitive edhe në të ardhmen.

Tashmë një “goleador”, duket se po merrni në dorë fatet e Vllaznisë? 

Ndoshta ka qenë faktor edhe fati që kam shënuar kaq shpesh këtë kohë. Por, e rëndësishme është se golat e mi kanë ndihmuar skuadrën dhe patjetër dëshiroj që të shënoj sa më shumë për realizimin e objektivave të skuadrës dhe klubit.

Një dedikim ndoshta për këtë performancë tuajën? 

Përherë e them që çdo gjë ia dedikoj familjes, që edhe kësaj radhe ishte në stadium duke më mbështetur. Por, patjetër edhe skuadrës dhe tifozëve të mrekullueshëm të Vllaznisë që ishin të pranishëm dhe jo vetëm.

I emocionuar ndoshta dhe i motivuar akoma më shumë nga prania e tifozëve në stadium?

Shumë, shumë e vërtetë! Na kishin munguar këto net të futbollit në “Loro Boriçi”. Ishte një atmosferë e jashtëzakonshme, si thuajse çdo herë në stadium. Na dhanë një energji të jashtëzakonshme dhe unë i falënderoj shumë të gjithë. Shpresoj që t’i kemi sërish në përkrahje në ndeshjet e ardhshme.

Vllaznia tregoi se ka karakter, është kjo skuadra reale? 

Kjo është e saktë sepse arritëm të reagonim shumë mirë në këtë ndeshje. Në pjesën e dytë hymë në fushë në disavantazhin e një goli dhe treguam vlerat tona, duke përmbysur kundërshtarin dhe duke imponuar lojën tonë deri në fund të 90 minutave. Them se skuadra po konsolidohet nga ndeshja në ndeshje dhe po fillojmë ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin dhe idetë e trajnerit.

Do të arrijë Vllaznia diçka historike, që do të ishte kualifikimi në turin e tretë të Conference League? 

Shpresoj që ta bëjmë atë hap për të arritur këtë kualifikim historik. Siç e thashë, nuk shkojmë në Islandë me idenë se ka mbaruar gjithçka. Për ne është absolutisht e hapur çdo gjë dhe shkojmë me idenë se rezultati është 0-0. Patjetër, deri në fund të ndeshjes së kthimit, ne do të tentojmë një kalim në turin e tretë të kompeticionit.

Endri ÇINARI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img