Sunday, March 8, 2026

(Video) FSHF & UN Women Albania organizojnë mini-turne në “Shtëpinë e Futbollit” për Ditën Ndërkombëtare të Grave

Lexo

- Reklamë -spot_img

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Grave, Federata e Futbollit organizoi një mini-turne futbolli në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, në bashkëpunim me UN Women Albania, duke përcjellë një mesazh të fortë mbi rëndësinë e barazisë gjinore dhe fuqizimit të vajzave dhe grave përmes sportit.

Në këtë aktivitet morën pjesë katër ekipe që përfaqësonin aktorë të ndryshëm të shoqërisë që kontribuojnë gjatë gjithë vitit në mbështetje të kauzës së barazisë gjinore: një ekip nga administrata e FSHF-së, një ekip nga UN Women Albania, një ekip i përbërë nga gazetare sportive dhe jo vetëm, si dhe një ekip nga përfaqësuese të shoqërisë civile.

Përmes këtij mini-turneu, FSHF synoi të vërë në pah rolin e rëndësishëm që sporti dhe veçanërisht futbolli luajnë në promovimin e vlerave të bashkëpunimit, përfshirjes dhe respektit, si dhe në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë, pa dallim gjinie.

Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë shumë pozitive në “Shtëpinë e Futbollit”, ku pjesëmarrëset demonstruan frymë skuadre, solidaritet dhe energji, duke përcjellë mesazhe të rëndësishme për shoqërinë dhe për rolin që sporti mund të ketë në fuqizimin e grave.

Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, e cila në fjalën e saj përshëndetëse theksoi rëndësinë e organizimit për të tretin vit radhazi të këtij mini turnamenti në Ditën e Vajzave dhe Grave, duke nënvizuar angazhimin e Federatës për zhvillimin e futbollit të vajzave në Shqipëri.

“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur në ambientin e FSHF për të mirëpritur në të tretin vit radhazi këtë mini turnament që ne organizojmë për një ditë të rëndësishme siç është dita e vajzave dhe grave. Sigurisht, ju e dini tashmë që përtej emocioneve që ne bashkë kemi, ne në FSHF punojmë shumë të rritur futbollin e vajzave në Shqipëri. Dita që ne festojmë sot është shumë e rëndësishme dhe aktiviteti për gratë dhe vajzat në Shqipëri nuk duhet të mbetet në vetëm një moment. Duhet që ne të gjithave të luftojmë kundër diskriminimit. Janë pikërisht vetë ato parime që futbolli vetë përcjell, barazia dhe profesionalizmi të jenë në pararojë të çdo zhvillimi tjetër”, – tha anëtarja e KE të FSHF, Anila Basha.

Ingrid Macdonald, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, falënderoi FSHF-në për organizimin e këtij mini-turneu, duke vlerësuar praninë dhe angazhimin e vajzave dhe grave në një aktivitet që përcjell mesazhe të rëndësishme dhe simbolike për barazinë dhe përfshirjen.

“Jam shumë e lumtur që jam këtu. Një falënderim shumë i madh për Federatën Shqiptare të Futbollit. Është një event fantastik, një event që bashkon së bashku gra nga të gjitha fushat: nga komuniteti ndërkombëtar, nga Federata e Futbollit, nga ambasadat, nga sektori privat dhe nga media. Faleminderit të gjithave që jeni sot këtu dhe që e bëtë këtë event të mundur. Do të ishte e pamundur pa ju”, – tha Ingrid Macdonald, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

Në përfundim të mini-turneut, pjesëmarrëset u vlerësuan simbolikisht, ndërsa aktiviteti shërbeu si një moment reflektimi dhe ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e përfshirjes së vajzave dhe grave në sport. Përmes nismave të tilla, Federata e Futbollit vijon të mbështesë dhe promovojë barazinë gjinore, duke e përdorur futbollin si një platformë të fuqishme për ndryshim pozitiv në shoqëri.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img