Prononcimi i trajnerit të Vllaznisë, Edi Martini, pas ndeshjes, Vllaznia-Bylis 0-2
“E pafalshme për ne, kjo tregon që ekipi sado cilësi të ketë, po nuk ka motivimin e duhur përpara ndeshjes, nuk arrin ta shprehë atë në fushë. Filluam mirë, patëm rastet tona, diku për cilësi diku për egoizëm të tepruar nuk arritëm të shënonim. Pastaj u bëmë nervoz, po e kërkonim golat në mënyrat që nuk janë tonat.
Është një nga ndeshjet më të këqija që kemi bërë. Të paktën mendoj se duhet të ishim më të qartë, kjo ishte ndeshje që kapnim vendin e parë prap, do ishim aty ku kishim qenë gjatë gjithë kampionatit, është e pafalshme.
Ana psikologjike është më e rëndësishmja në këto momente. Gjithsesi në 2 ndeshjet e fundit do të mundohemi të bëjmë maksimumin dhe të shikojmë “Final 4”.
Tifozët nuk kanë faj hiç, i kuptoj drejt, në qoftë se nuk je i mobilizuar 100 % ndaj çdo kundërshtari, nuk ia del. Unë personalisht kërkoj ndjesë. Kemi ndeshje të mërkurën, duhet të punojmë për anën psikologjike. Të shikojmë të ecim përpara.
Nuk ka asnjë ndeshje që është e lehtë, aq më tepër kur nuk je 100 % i gatshëm për të përballuar një ndeshje ose ta nënvlerësosh siç bëmë ne sot. Çdo ndeshje është e vështirë. Si Tirana si Vlora janë në të njëjta pozita, bëhet e vështirë. Do bëjmë maksimumin.
Këto 3 pikët për ne sot do të ishin të arta. Janë shumë të rëndësishme pikët me këtë formulën e përgjysmimit. Është gjynah. Duhet të mbarojmë këto ndeshjet dhe pastaj të shikojmë “Final 4”, deklaroi Martini.


