Vllaznia B vazhdon serinë e fitoreve, teksa në katër javët e para ka regjistruar katër të tilla duke kryesuar e vetme tabelën e klasifikimi të grupit A me 12 pikë të plota. Fitorja e fundit për kuqeblutë e B-së që drejtohen nga trajneri Brikeno Bizi, u regjistrua pasditen e sotme në transfertën lushnjare teksa mundi skuadrën vendase me rezultatin 0 me 1. Tre pikët e kësaj ndeshje u arritën përmes golit të shënuar nga Seralb Hotaj në minutën e tretë të ndeshjes.
Ndërkohë, sa i takon grupit A të kategorisë së dytë me shumë interes pritej ndeshja mes KF Shiroka dhe Eagles FA, sfidë kjo e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës.
Pas humbjes së javës së kaluar në transfertë me Lushnjën, Shiroka e kishte për detyrim për të marrë trepikëshin ndaj Eagle FA. Referuar ecurisë së takimit, duhet thënë se shirokasit këmbëngulën fort për të gjetur golin e avantazhit, por megjithë rastet e krijuara, pjesa e parë u mbyll në barazim 0 me 0.
Me të njëjtin ritëm u luajt edhe pjesa e dytë e ndeshjes, ku iniciativa vijoi të ishte përsëri në anën e Shirokës, por goli nuk del në dritë falë edhe një loje të kujdeshme në mbrojtje të ekipit Eagle, ku për t’u theksuar është forma shumë e mirë e portjerit Elton Maksuti, i cili ishte pika më e fortë e skuadrës mysafire.
Por, përpos mbrojtjes, Eagle mendon edhe për kundrasulmin, ku në njërin prej tyre, është Ajsel Gjini, i cili në minutën e 65-të ndëshkon vendasit me golin e shënuar në portën e portjerit të Shirokës Endri Lujkaj. 0 me 1 për Eagle, rezultat ky që qëndron në fuqi deri në mbyllje të krejt ndeshjes, duke i dhënë fitoren e parë ekipit Eagle në këtë javë kampionat. Ndërkohë, që pas kësaj jave, edhe Shiroka mbetet me një fitore në katër ndeshje duke mbajtur vendin e dhjetë me tre pikë, po aq sa ka edhe Veleçiku, i cili sot mori fitoren e parë duke mundur në Koplik, Basanian me golat e Banushajt dhe Aliut, ndërkohë që për bushatasit shënoi Mila.
Fitore në javën e katërt kanë realizuar edhe Erzeni, i cili mundi Naftëtarin 2-1, po kështu edhe Gramshi mundi Partizanin 2-0, ndërkohë që Tërbuni i Pukës e mbylli në barazim 1 me 1 duelin e luajtur në shtëpi me Luzin e vogël.
Rezultatet e javës së katërt të Kategorisë së Dytë, grupi A.
Erzeni 2-1 Naftëtari(11′ Shkirta, 43′(p) Velaj – 37′ Mici)
Lushnja 0-1 Vllaznia B(3′ Hotaj)
Gramshi 2-0 Partizani B(40′ Ndrejaj, 83′ Tabaku)
Tërbuni 1-1 Luz i Vogël(45′(p) Bikatal – 21′ Vincent Paskal)
Veleçiku 2-1 Basania(2′ Banushaj, 45′ Aliu – 15′ Mila)
KF Shiroka 0-1 Eagle(65′ Ajsel Gjini)
(Video) Pamje nga ndeshja KF Shiroka-Eagle FA, 0-1, si dhe prononcimet e trajnerit të Shirokës Pablo Rios Freire, Presidentit të Eagle FA Andi Matraxhiu si dhe portjerit të Eagle, Elton Maksuti, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


