Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, pati sot një takim në zyrën e tij me drejtuesit e ekipeve dhe shoqatave të Klubit Shumësportesh “Vllaznia”, ku u diskutua lidhur me ndarjen e buxhetit për klubin, për vitin 2023.
Nisur edhe nga propozimet e drejtuesve të shoqatave të sportit, Kryebashkiaku, Beci, tha se nga ana e bashkisë do të bëhet maksimumi për promovimin dhe zhvillimin e sportit.
Ndërsa, lidhur me kriteret kryesore të ndarjes së buxhetit prej 150 milion, i miratur nga Këshilli Bashkiak i mëparshëm, u tha se to do të jenë në bazë të rezultateve, masivitetit dhe nevojat me emergjente që paraqiten.
Drejtuesit e ekipeve të Klubit Shumësportesh “Vllaznia”, duke e quajtur të pamjaftueshëm buxhetin, thanë se duhet të shihet mundësia e gjetjes së burimeve të tjera për financimin e sporteve, si dhe duke u krijuar lehtësi fiskale bizneseve që mbështesin sportin.
Siç u ra dokort në këtë takim, ndër të parët që zhvilloi kryebashkiaku Beci, që pas marrjes së detyrës, drafti perfundimtar i ndarjes së buxhetit për sportin do të bëhet i ditur nga Bashkia brenda kësaj jave.
(Video) 1. Kryebashkiku i Shkodrës, Benet Beci, flet në takimin me drejtuesit e shoqatave sportive të Shkodrës.
- Pamje nga takimi i kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci, me drejtuesit e shoqatave sportive të Shkodrës