Merkato e Vllaznisë vazhdon të jetë e hapur dhe kryesisht për repartin e sulmit ku kritikat kanë qënë më të shumta. Mamadou Tounkara, është futbollisti më i ri që i shtohet kuqebluve në organikë, gjë të cilën klubi shkodra e ka zyrtarizuar paraditen e sotme përmes njoftimit zyrtar.

“Mirë se vjen, Mamadou Tounkara!
Forcë, energji dhe ambicie të reja për repartin sulmues të Vllaznisë.
Tounkara vishet kuqeblu dhe është gati për sfidën e re!
Welcome to Shkodra, Mamadou!
Suksese me fanellën e Vllaznisë! ”, shkruhet në faqen zyrtare të KF Vllaznia.
Tounkara vjen te Vllaznia me një eksperiencë të gjatë në futbollin italian, teksa në karrierën e tij numëron rreth 150 ndeshje dhe 25 gola, ndërsa sezonin e fundit me Guidonia Montecelio në Serie C u aktivizua në 7 takime. Tashmë, pas eksperiencës së tij të fundit në futbollin italian, Tounkara rikthehet në Shqipëri, këtë herë për të veshur fanellën e Vllaznisë.
Përpos të dhënave teknike, për afrikanin ka edhe komente të tjera, ku sipas gazetës Panorama Sport, në vitin 2025 ai u pezullua me 10 muaj, për tentativë trukimesh në baste. Tounkara, i kërkoi ish-shokut të tij, Martini, që ishte pjesë e Sudtirolit në Serinë B italiane, që të ndëshkohet me karton të verdhë dhe sulmuesi afrikan të mund ta vendoste në baste për të fituara para.
Bëhet fjalë për ndeshjen Katanzaro-Sudtirol, e vlefshme për javën e 10-të të Serie B, e cila përfundoi 3-0. Martini u aktivizua në minutën e 39-të të pjesës së dytë dhe nuk mori asnjë masë disiplinore.
“Vëlla, nëse futesh në lojë, më duhet një karton i verdhë. Duhet të më thuash me siguri që trajneri do të të fusë. Të lutem, më duhet, duhet të paguaj disa gjëra, vëlla”, i shkruante Tounkara Martinit, i cili nuk iu përgjigj asnjëherë. Më herët, Tounkara e kishte ftuar të shkarkonte një aplikacion që mundësonte fshirjen e historikut të mesazheve pesë minuta pas marrjes së tyre.
Martini, në përputhje me procedurat, u mjaftua të informonte klubin e Sudtirolit, që denoncoi çështjen në Prokurori.
Përpara tribunalit, siç raportohet në vendim, Tounkara u shpreh:
“Në atë moment kisha vështirësi ekonomike dhe për këtë arsye i kërkova Martinit, mikut tim dhe ish-shokut të skuadrës, të më tregonte, si një favor, nëse do të luante në ndeshjen e ditës së nesërme dhe nëse do të merrte një karton të verdhë. Ky informacion do të më shërbente për të vënë bast për një karton të mundshëm të verdhë të Martinit në ndeshjen e kampionatit që do të zhvillohej të nesërmen. Martini nuk iu përgjigj kurrë këtyre mesazheve, ndaj unë nuk vendosa asnjë bast për ndeshjen.”
Prokuroria e Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) kishte kërkuar dy vite pezullim, por tribunali vlerësoi se 10 muaj ishin të mjaftueshëm, “edhe në bazë të sjelljes së mirë të treguar nga i padituri gjatë procesit”.
Përpara publikimit të arsyetimit të vendimit, Tounkara kishte komentuar pezullimin e tij në rrjetet sociale:
“Nuk bëhet fjalë as për baste, as për trukim ndeshjesh dhe as për sjellje të lidhura me to”, duke rezervuar të drejtën për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e pozicionit të tij në kuadër të procedimit disiplinor sportiv.


