Thursday, April 18, 2024

(Video) Miqësoret me Kilin & Suedinë/ Manaj & Muçi: Luajmë me ekipe të mëdha. Tifozët i duam gjithmonë në krah

Lexo

Dy futbollistët e Kombëtares, Rey Manaj dhe Ernest Muçi dolën sot në konferencën zyrtare për mediat dhe folën për dy takimet miqësore kundër Kilit (22 mars) dhe Suedisë (25 mars). Manaj dhe Muçi komentuan formën e mirë që po kalojnë me klubet e tyre në Turqi dhe theksuan se ndeshjet miqësore janë një mundësi e mirë për të treguar vlerat e çdo lojtari.

Rey Manaj foli për rikthimin në Kombëtare. Ai theksoi se dëmtimet e pësuara e kanë bërë të pamundur grumbullimin dhe shtoi se ndihet shumë i motivuar për të dhënë më të mirën në dy takimet miqësore ndaj Kilit dhe Suedisë.

Si e gjete atmosferën pas rikthimit nga një periudhë e gjatë, a je më i motivuar? – Ekipin e gjeta shumë mirë, është emocion të rikthehesh pas një viti e gjysëm, sepse vitin e kaluar pata dëmtim dhe qëndrova jashtë. Besoj të gjithë lojtarët janë të motivuar për Europianin, tifozët dhe familjet shqiptare e presin shumë “Euro 2024”.

Jeni ndër lojtarët me më shumë minuta, a e sheh veten pjesë të listës në Euro 2024? – Kemi patur komunikim me trajnerin dhe lojtarët duhet ta tregojnë veten në dy ndeshjet miqësore dhe në stërvitje. Zgjidhjet i bën trajneri.

Kush kanë qenë problemet në harkun e kësaj periudhe larg kombëtares? – Viti i kaluar ishte i vështirë dhe pata një dëmtim. Më pas u dëmtova sërish se u riktheva para kohe në fushë dhe qëndrova jashtë fushe për gjashtë muaj. Për Europianin lojtarët i zgjedh trajneri, ne jemi të disponueshëm. Unë me veten time mendoj se jam gati për Europian.

Grumbullimi i parë me trajnerin Silvinjo, çfarë ke biseduar? Ke ruajtur gol me Kombëtaren? – Kam patur gjithmonë komunikim me trajnerin, ka ardhur edhe në Londër të më takoj. Jam shumë i kënaqur sepse është edhe grumbullimi i parë. Në muajin shtator kur kalova te Sivasspor vija nga një dëmtim i gjatë dhe normalisht unë para se të shoh zgjedhjet e tjerëve shoh veten time dhe e dija se nuk isha gati. Tani kemi rastin për të treguar veten në miqësore, jo vetëm unë por të gjithë lojtarët.

Si ndryshoi Rey Manaj, kush është çelësi? – Atë nuk e di. Por, kur një lojtar pëson dëmtim të rëndë duhet të fokusohet shumë dhe të stëvitet. Të gjeja formën ishte kryesore, faza përgatitore me Sivasspor-in shkoi shumë mirë dhe duhet të gjesh besimin e duhur. Duhet të jesh i fortë mentalisht. Besoja se ftesa do të vinte po të luaja mirë, sepse kam tetë vite në Kombëtare. Është mundësia për të treguar vlerat.

Atmosfera nga tifozët në Parma, si e pret dhe a ke një thirrje për tifozët kuqezi? – E pres mirë dhe besoj se stadium do të mbushet, pasi edhe në Shqipëri kërkesat janë shumë të larta. Tifozët na kanë mbështetur gjithmonë dhe kam parë edhe në ndeshjet kualifikuese që kishte shumë kërkesa. Tifozët e duan Shqipërinë, ekipi pa tifozët është asgjë dhe kryesorja është që në stadium të ketë tifozë që edhe ne të motivohemi dhe të japin 100% tonë.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Ernest Muçi ka gjetur një atmosferë shumë të mirë në këtë grumbullim të parë të Kombëtares për vitin 2024. Djaloshi kuqezi i konsideroi shumë të rëndësishme këto dy ndeshje ndaj Kilit dhe Suedisë, ndërsa u shpreh se skuadra mezi pret të zbresë në fushë dhe të tregojë vlerat e saj. Ndër të tjera, Muçi foli edhe për një vend në listën e 23 lojtarëve të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në Kampionatin Europian, ndërsa nuk la pa përshëndetur edhe tifozët e Kombëtares. Në fund, sulmuesi kuqezi bëri edhe një thirrje për lojtarin e 12-të të skuadrës.

Atmosfera në Kombëtare – Atmosfera është shumë e mirë. Ka qenë gjatë gjithë kualifikuese, një atmosferë fantastike me këtë grup. Jemi shumë të lidhur së bashku dhe një grup shumë i mirë. Europiani? – Nuk e kam menduar. Dua të bëj mirë me klubin dhe në këto dy miqësore, që janë shumë të rëndëishme. Janë dy ekipe shumë të mëdha dhe mezi po pres t’i luajmë dhe të tregojmë veten të gjithë.

Gati për më shumë përgjegjësi? – Jam gati, por e vendos trajneri se kush luan. Duhet të punoj akoma edhe më fort. Ndihem shumë mirë fizikisht dhe kam pasur minuta. Shpresoj të bëjmë sa më mirë në këto dy miqësore dhe të tregojmë veten që jemi gati për një rol më të madh në Kombëtare.

Sa na motivon Europiani për t’u angazhuar më shumë në klub? – Këto tre muaj janë shumë vendimtarë për të gjithë lojtarët e Kombëtares. Duhet të japim më të mirën për klubet tona, por edhe që të jemi pjesë e listës së Europianit. Është zgjedhje e trajnerit, por ne duhet të vazhdojmë të bëjmë më të mirën në këto dy miqësore dhe ndeshjet e mbetura në kampionatet respektive. Duhet të kemi një motivim ekstra për fundin e këtij kampionati.

Sa ndikim do të kenë dy miqësoret për ndeshjet përfundimtare? – Nuk di të them sa ndikim do të kenë, por për ne si ekip janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për të qenë sa më gati për Europianin. Janë dy ndeshje që luhen jashtë, besoj që tifozët do të vijnë edhe në Itali edhe në Suedi. I mirëpresim dhe jemi gati të bëjmë dy ndeshje shumë të mira për ta dhe për ne si ekip, që të tregojmë që jemi gati.

Sa ndikon lëvizja e Muçit të Beshiktash përpara Europianit? – Synoj që të bëj sa më mirë në karrierën time. Lëvizja nga Polonia te Beshiktashi nuk është shumë e lehtë për t’u arritur. Kur erdhi oferta nuk e mendova dy herë, isha shumë i sigurt që është lëizja e duhur. Besoj se kam marrë vendimin e duhur. Shpresoj të bëj sa më mirë dhe të tregoj vlerat e mia. Lëvizjen e parë nga Tirana te Legia e pata në janar dhe nuk e kam problem.

Mbështetja e tifozëve – E kam ndjerë që tifozët na mbështesin jo vetem mua, por të gjithë lojtarët. Pritshmëritë janë aty, duhet të bëjmë më të mirën, të stërvitemi dhe në këto miqësore të luajmë sa më mirë dhe të tregojmë veten. Uroj të marrim rezultate sa më të mira në këto ndeshje. Edhe në kualifikuese, brenda apo jashtë vendit, stadiumet ka qenë plot me tifozë. Na kanë mbështetur shumë dhe besoj se dhe në këto dy ndeshje do jenë aty për ne. I ftoj të jenë në stadium dhe të na mbështesin. Do bëjmë më të mirën në mënyrë që tifozët të ndihen që kanë një ekip shumë të denjë për Europian.

Për kë flitet më shumë në Turqi, Manaj apo Muçi? – Nuk e di, por më e mira është që po flitet për ne që jemi nga Shqipëria. Kjo është diçka e mirë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img