Vllaznia-Arsenal Tivat(Mali i Zi), 1-1(Shënues: Klinti Qato 53’/Saleta Kordiç 83’)
Formacioni i Vllaznisë: Juka, Brahimi, Stojanoviç, Bajrami, Spahija, Krymi, Tafili, Kahrimanoviç, Maliqi, Gruda, Çoba(U aktivizuan: Sala, Qarri, Beci, Pusi, Juriç, Yago, Deliu, Qato, Delaj, Mala. Trajner: Tomas Brdariç
Gjyqtarë: Bekris Dragusha, Arlind Kastrati, Ardit Çobaj
Ashtu siç ishte planifikuar më herët, pasditen e së shtunës, Vllaznia ka pritur në stadiumin “Loro Boriçi” ekipin malazez, Arsenal Tivat. Një miqësore ndërkombëtare, që i vlejti të dyja skuadrave në këtë ndërprerje kampionati për shkak të ndeshjeve të ekipeve kombëtare.
Ndeshjes në fjalë i ka paraprirë një ceremoni në nderim të ish portjerit të Vllaznisë, Bojan Zogoviç, i cili sot ishte titullar në portë tek skuadra e Superligës malazeze, Arsenal Tivat. Ka qënë presidenti kuqeblu Alban Xhaferi dhe drejtori sportiv Tefik Osmani, të cilët në shenjë respekti për kontributim e dhënë në formacionin e Vllaznisë i kanë dhuruar atij fanelen me numrin 166, shifër që përfaqëson ndeshjet e luajtura prej tij me fanelen kuqeblu në periudhën 2020-2023, gjatë së cilës është shpallur edhe dy herë fitues i Kupës së Shqipërisë. Ndwrkohw qw nga pala malazeze, presidenti i klubit Arsenal Tivat, Dejan Kandiç i ka dhuruar z. Xhaferi një fanellë të skuadrës së tij.
Sa i takon ndeshjes, pjesa e parë është mbyllur pa gola, 0 me 0, me një Vllazni që në fushë kishte një formacion miks, me titullarë dhe lojtarë të rinj, e cila ishte më dominuese në kërkim të golit, por që u bllokua disa herë nga portjeri malazez, Bojan Zogoviç.
Për t’u theksuar është se në minutën e 12-të, Ardit Krymi që në këtë ndeshje mbante shiritin e kapitenit, pësoi një dëmtim të rëndë që e detyroi të lërë fushën e lojës.
Ndërkohë, miqtë nga Mali i Zi përmirësojnë ndjeshëm lojën e tyre në dhjetë minutat e fundit të pjesës së parë, ku edhe vunë në pozitë të vështirë Vllazninë si dhe portjerin Aron Jukaj që nuk lejoi prekjen e rrjetës.
45 minutat e pjesës së dytë nisën me një Vllazni, ku Brdariç hodhi në fushë lojtarë të tjerë, mes të cilëve edhe titullarë, përfshirë edhe Ardit Deliun, që rikthehet pas një mungese të gjatë dëmtimi.
Tetë minuta nga nisja e kësaj pjese, Klinti Qato kalon në avantazh Vllazninë duke krijuar idenë se fitorja do të ishte në anën e kuqebluve. Por, formacioni malazez i drejtuar nga traneri Mirko Todoroviç, jo vetëm që nuk lejon të preket më rrjeta e tij, por nga ana tjetër gjen golin e barazimit në minutën e 83-të me autor Saleta Kordiç.
Minutat në vazhdim, megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, nuk sjellin gola të tjerë duke lënë në fuqi rezultatin e barabartë. 1 me 1.
(Video) Ndeshja, Vllaznia-Arsenal Tivat(Mali i Zi), 1-1, si dhe prononcimi pas ndeshjes i trajnerit të Vllaznisë, Tomas Brdariç.
Gaspër MARKU