Për sukseset e karateistes së talentuar shqiptare, Mikela Skandaj me origjinë nga fshati Baqel i Lezhës, e cila jeton prej vitesh në Itali, kemi folur edhe herë të tjera. Edhe këtë radhë si konkuruese në garat kombëtare të karatesë të organizuara në Carpi të Italisë, ajo ishte protagoniste me fitimin e medaljeve.
Mikela, në cilësinë e nënkampiones së Europës të sezonit të kaluar, u ngjit në podium tri here duke i dhuruar skuadrës Veroneze, të cilën ajo përfaqëson në kampionatin italian, 2 Medalje Ari dhe një Argjendi, duke koleksionuar në total plot 65 medalje në 6 vite karriere.
Por, këtë radhë, konkurimin e talentes lezhjane e ka shoqëruar një episod që nuk është hasur në konkurime të këtij niveli.
Bëhet fjalë për finalen e dytë, për një gabim fatal që bëri Juria e ndeshjes, ku edhe pse Mikela ishte dominuese duke qënë në avantazh me rezultatin 5 me 2, arbitri kryesor i tapetit e mbylli takimin duke bërë me shenjen e fitueses për kundërshtaren e Mikeles.

Reagimi i karateistes shqiptare ka qënë i menjëhershëm duke e kundërshtuar vendimin, gjë që dallohet qartazi edhe në videon e ndeshjes që shoqëron shkrimin.
Fati i madh i Mikeles është se babai i saj Angjelin Skandaj, i cili ka një meritë të padiskutueshme në ecurinë e karrieres sportive të vajzës së tij, i filmon të gjitha ndeshjet e vajzës së tij
“Ka një gabim këtu, unë jam fituesja e ndeshjes. Babi im ka filmuar gjithçka dhe është gati t’ju vërë në dispozicion videon e ndeshjes”,-i thotë Mikela gjyqtarit kryesor.
Juria në tërësi, së bashku me gjyqtarët e tavolinës dhe kryegjyqtarin e aktivitetit, vendosën të pranojnë videon e babait të Mikeles, dhe pasi verifikuan pamjet, është konstatuar gabimi, ku piket e Mikeles i kishin kaluar finalistes tjeter. Në përfundim, Juria kërkoj falje për gabimin e bërë dhe shpali fituese me meritë talenten lezhiane, Mikela Skandaj.
(Video) Pamja nga ndeshja finale e karateistes lezhjane Mikela Skandaj. Reagimi ndaj jurisë dhe më pas fitimi i Medaljes së Artë.
Gaspër MARKU



