Kombëtarja U-16 ka nisur që prej ditës së shtunë grumbullimin, në kuadër të dy takimeve të radhës miqësore kundër Italisë U-16 të planifikuara për t’u luajtur më datat 21 dhe 23 shkurt, me lojtarët e ftuar nga stafi teknik i ekipit kuqezi. Në prag të ndeshjes së parë kundër bashkëmoshatarëve italianë, atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe e këtë konfirmojnë edhe vetë futbollistët e ftuar për këto dy miqësore.
Në një prononcim për fshf.org, mbrojtësi Enea Elmazi shprehet i lumtur që ka marrë një ftesë nga stafi teknik i Kombëtares U-16 për të përfaqësuar Shqipërinë në këto dy sfida luksi. Mbrojtësi kuqezi nënvizon se grupi kuqezi është shumë cilësor dhe shpresat për të marrë rezultate pozitive në këto dy takime janë të mëdha.
“Nuk është hera e parë që grumbullohem me Kombëtaren. Është hera ime e tretë, ndihem shumë mirë. Me grupin jemi shumë të ambientuar. Kemi shpresa që t’i fitojmë këto ndeshje kundër Italisë, kemi një grup shumë të veçantë. Dhe shpresojmë për më tej edhe për në Europian, që të kualifikohemi. Grupi ynë ka shumë cilësi. Janë shumë lojtarë nga jashtë që janë shumë cilësorë dhe besoj që do të luajmë shumë mirë në këto ndeshje miqësore” – thotë djaloshi kuqezi, ndërsa tregon edhe lojtarin që e inspiron më tepër, si edhe objektivat që ka për të ardhmen.
“Më inspiron shumë Bare, është mesfushor qendre, por më pëlqen shumë sepse ka egërsi në fushë, luan me zemër dhe jep gjithçka kur luan me Kombëtaren. Objektivi im për të ardhmen është që të luaj me Kombëtaren A dhe shpresoj që të luaj për Realin e Madridit. Idhulli im për momentin është Theo Hernandez” – shprehet Enea Elmazi për fshf.org.
Edhe sulmuesi kuqezi i Genoa-s, Xheto Joi Nuredini, nuk e fsheh kënaqësinë që është pjesë e grupit kuqezi, ndërsa nënvizon se Shqipëria mund të bëjë mirë në këto dy takime kundër Italisë.
“Jam Xhoi Nuredini, luaj si sulmues. Ndihem shumë mirë, jam shumë i kënaqur. Ua them prindërve dhe shokëve që më ka marrë Kombëtarja. Ndihem mirë dhe mendoj që po rritem shumë si futbollist. Për mendimin tim, ekipi mund të bëjë shumë mirë, e pashë edhe në stërvitje” – thotë Nuredini, i cili ka ëndërr që të luajë në radhët e ekipit kombëtar A, si edhe në Serinë A.
“Dua të luaj në Serinë A dhe të luaj me Kombëtaren A. Idhulli im është Armando Broja që luan te Chelsea sepse është një sulmues shumë i mirë” – nënvizon Xheto Joi Nuredini.
Takimi i parë miqësor është planifikuar të zhvillohet më 21 shkurt, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë dhe do të nisë në ora 17:00. Ndërsa miqësorja e dytë mes kuqezinjve dhe axurrëve do të luhet më 23 shkurt në stadiumin “Elbasan Arena” dhe do të nisë në ora 12:00.
Siç është bërë e ditur, në të dyja këto ndeshje, Federata Shqiptare e Futbollit do të hapë dyert për të gjithë tifozët, për t’u dhënë sa më shumë mbështetje kuqezinjve.