Thursday, April 25, 2024

Një javë, “jo” për volejbollin shkodran. Humb, edhe ekipi i meshkujve. Tirana, fiton në “Qazim Dervishi” 1-3. Vllaznia barazohet me pikë me Skënderbeun duke rrezikuar vendin e katërt

Lexo

Një javë “jo” mund të konsiderohet kjo që lamë pas për volejbollin shkodran. Dy ekipet e volejbollit të Vllaznisë, për femra dhe meshkuj, janë mundur nga ekipet bardheblu të Tiranës, në kuadrin e javës së dhjetë të Superligës së volejbollit.

Të dyja ndeshjet në fjalë janë zhvilluar në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” të Shkodrës, dhe kanë përfunduar që të dyja me humbje, 0 me 3 për femra dhe 1-3 për meshkuj.

Ndërsa, më herët, komentuan ndeshjen e femrave, ku humbja e Vllaznisë në shtëpi bëri që ajo të zbresë për herë të parë në vendin e pestë të renditjes, tashmë është radha të bëjmë të njëjtën gjë edhe për meshkujt.

Kuqeblutë e meshkujve të drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, në përbërje të të cilëve u aktivizuan: Jula, Çekini, Qafarena, Rrashketa, Curraj, Jukni, Peraj, Lleshi, Talani, Daniku, arritën të marrin një set, por, edhe këtu, ashtu si edhe tek femrat, është Tirana që fiton të gjithë ndeshjen me rezultatin 1 me 3.

Bardheblutë fitojnë dy setet e parë me të njëjtin rezultat, 18 me 25 duke udhëhequr me sete, 0-2. Kuqeblutë, reagojnë në setin e tretë duke fituar me shifrat 25-21 duke i dhënë një frymëmarrje tjetër ndeshjes.

Të krijohet përshtypja se seti i katërt do të jetë më luftaraku, Vllaznia për të barazuar rezultatin dhe për të çuar ndeshjen në shtesë, dhe Tirana për ta mbyllur atë 1-3.

Por, megjithë përpjekjet e Vllaznisë, ajo nuk arrin të shkojë më tepër se deri tek pika e 19-të, sepse është Tirana që mbërrin tek pika e 25 duke e mbyllur të gjithë ndeshjen me rezultatin 1-3.

Humbja në shtëpi e Vllaznisë, dhe fitorja në transfertë e Skënderbet me Elbasanin, 0-3, bën që korçarët të barazohen me pikë me Vllazninë në vendin e katërt me 14 pikë duke rrezikuar seriozisht objektivin e kuqebluve për fazën Play-Off.

Superligën e meshkujve e kryeson Partizani me 27 pikë, i cili këtë javë mundi Teutën në transfertë, 1-3. Në vend të dytë është Tirana me 24 pikë, Erzeni i treti me 23 pikë, Vllaznia dhe Skënderbeu në vend të katrt dhe të pesë me pikë të barabarta, nga 14-të, ndërkohë që tre vendet e fundit të renditjes, janë Studenti, Teuta dhe Elbasani, respektivisht me 10, 5 dhe 0 pikë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img