Me seancën stërvitore të paradites së shtunë, kuqeblutë e Vllaznisë, i japin fund përgatitjeve anti-Kukësi dhe në orët e mesditës nisen drejt qytetit verilindor të Kukësit, ku nesër ora 14:00 do të përballen me skuadrën vendase me të njëjtin emër në kuadrin e javës së 28-të të Superiores së futbollit shqiptar.
Përpara seancës stërvitore, trajneri i kuqebluve Qatip Osmani ka folur për mediat në konferencën e zakonshme të organizuar në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”. Fillimisht, Osmani u ndal në rëndësinë e ndeshjes duke vlerësuar rritjen e ndjeshme të skuadrës kuksiane këto javët e fundit, por nga ana tjetër deklaroi se Vllaznia e drejtuar prej tij është e karikuar për të vijuar rrugën e rezultateve pozitive.
Në vijim, Osmani foli edhe mungesat e rëndësishme të mbrojtësit Smajli dhe mesfushorit Krymi për arsye kartonash, ndërkohë që bëri të ditur se portjeri Jurgen Mehidri është rikuperuar dhe është gatshëm për të luajtur në Kukës.
E pyetur për Kupën, trajneri Qatip Osmnai, u shpreh optimist që Vllaznia do ta kalojë edhe Egnatian për të shkuar në finale duke synuar fitimin e trofeut. Ndërkohë,që komentoi edhe ndërprerjen e kampionatit pas ndeshjes me Kukësin, ditë që do t’i shërbejnë Vllaznisë për një përgatitje edhe më intensive në mënyrë që ndeshjet e fazës së katërt dhe ato finale t’i kurorëzojë me sukses.
(Video) Prononcimin e plotë në video të trajnerit Qatip Osmani në pragndeshjen e javës së 28-të ndaj Kukësit, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.