Monday, April 29, 2024

(Video) Rama-Duka-Infantino në inaugurimin e “Shtëpisë së Futbollit”. Presidenti i FIFA-s Infantino, vlerësime dhe mbështetje për FSHF-në

Lexo

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka zhvilluar këtë të enjte një vizitë zyrtare në Tiranë, ku ka inauguruar hapjen e “Shtëpisë së Futbollit”, një kompleks moderni financuar pikërisht edhe nga programi “Forward” i FIFA-s.

Kjo vizitë e Presidentit Infantino përkoi edhe me 90-vjetorin e anëtarësimit të FSHF-së në FIFA, një vit jubilar ky për institucionin e futbollit shqiptar!

Fillimisht, kreu i qeverisë së futbollit në botë dhe delegacioni shoqërues i tij u prit nga Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit në aeroport, ku së bashku vizituan stadiumin me infrastrukturën më moderne në Shqipëri ‘Air Albania’.

Presidenti Infantino u njoh nga afër me kryeveprën e vendosur në zemër të kryeqytetit, teksa vizitoi të gjitha ambientet e stadiumit dhe shprehu vlerësimet më të mira për këtë investim modern dhe për punën e mirë të bërë nga FSHF në ndërtimin e këtij impianti. Pas vizitës në stadium Infantino u prit në një takim nga Kryeministri Edi Rama, me të cilin diskutoi për mënyrat se si qeveria mund të mbështesë zhvillimin e futbollit shqiptar përmes investimeve në infrastrukturën sportive, që ka nevojë akute për ndërhyrje e veçanërisht në Tiranë ku nevoja për fusha të reja futbolli është shumë e madhe. Gjithashtu gjatë takimit Presidenti Infantino foli me Kryeministrin Rama edhe për përmirësimin e legjislacionit aty ku është e nevojshme për ta ndihmuar sa më shumë futbollin të rritet.

Më pas, numri një i qeverisë së futbollit botëror së bashku me Kryeminstrin Edi Rama, Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, morën pjesë në eventin festiv të organizuar në Shtëpinë e Futbollit me rastin e inaugurimit të të këtij kompleksi modern sportiv, i financuar me fondet e programit “Forëard” të FIFA-s.

Në këtë event ishin të ftuar edhe Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini, anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, figura nga më të njohura të futbollit shqiptar ndër vite, drejtues të klubeve si edhe shumë të rinj e të reja që u argëtuan duke luajtur futboll në fushat e reja të këtij kompleksi.

Në fjalën e rastit të mbajtur gjatë eventit Presidenti Duka, teka i uroi mirëseardhjen të gjithë personaliteteve dhe miqve të ftuar, u shpreh i emocionuar për inaugurimin e kompleksi “Shtëpia e Futbollit”, shtëpinë e të gjithë atyre që jetojnë e punojnë me emocionet e bukura të futbollit. Një ëndërr e bërë realitet e që pak vite më parë dukej si utopike.

“Më në fund, jemi në shtëpi. Në shtëpinë tonë të madhe të përbashkët. Jemi në shtëpinë që hap dyert për administratën të Federatës së Futbollit, arbitrat, trajnerët e për ekipet kombëtare që do të stërviten në stadiumet e ambientet e ndërtuara enkas për to. Jemi në shtëpinë që pret e përcjell 16.161 mijë futbollistët, vajza e djem të të gjitha moshave. Jemi në shtëpinë, ku drejtojnë sytë me mijëra prindër e gjyshër, për të ndjekur rrugëtimin e brezit të ri e që na kërkojnë se duhet ti japim më shumë vëmendje aktivitetit sportiv, e veçanërisht atij më të dashurit për shqiptarët, dhe jo vetëm për ta. Para pak vitesh, e gjithë kjo ishte Utopike. Për disa të tjerë një ëndërr luksoze e panevojshme. Por shpresoj dhe besoj se sot gjithkush është bindur, pasi ky kompleks nuk është thjeshtë një ndërtesë, apo fushë futbolli por një mesazh shumë i rëndësishëm për shoqërinë. Po ja sot jemi këtu. Të gjithë bashkë. Të vjetër dhe të rinj. Vendimmarrës dhe politikbërës. Të mëdhenj e të vegjël, për të inauguruar “Shtëpinë tonë të Futbollit”, si një vlerë e shtuar infrastrukturore e cila nuk do të realizohej, nëse nuk do të kishte vullnetin e kësaj qeverie, dhe personalisht të Kryeministrit Rama, duke vënë në dispozicion këtë terren në zemër të kryeqytetit, e me një vlerë të paçmueshme, të cilën do ta kishte zili çdo institucion tjetër, mbase dhe vetë Qeveria“, tha Presidenti Duka, duke shtuar se ndërtimi i zyrave të Federatës ishte një objektiv i hershëm. Ai theksoi se projektet e mëdha padyshim që marrin kohë, dhe falënderoi kreun e qeverisë shqiptare për mbështetjen e madhe. “Për vizionin , për këtë zgjedhje të shkëlqyer dhe për besimin që pati tek ne që do të ndërtonim këtë vepër, unë dua ta falënderoj publikisht Kryeministrin Rama, dhe në të njëjtën kohë, uroj që t’i kemi plotësuar pritshmëritë tij dhe për kryeqytetin, me një objekt dinjitoz edhe nga pikëpamja arkitekturore”.

Më tej, Presidenti Duka renditi një sërë projektesh të ndërmarra për futbollin, ku ndër të tjera mund të përmenden 56 fusha loje, 19 fusha stërvitore me bar artificial, 12 tribuna stadiumesh dhe 76 fusha për futboll 5×5 kryesisht në shkolla.

“Bashkëpunimi i FSHF-së me qeverinë nuk ka filluar këtu por më herët, atëherë kur nuk kishim një stadium ku të luanim ndeshjet tona të ekipit kombëtar. Bashkuam fondet tona e të Qeverisë, morëm mbështetje financiare nga UEFA. Nga asnjë stadium, ndërtuam dy, një në Elbasan e një në Shkodër, për tu pasuar me perlën e infrastrukturës sportive, stadiumin “Air Albania” që e vuri Shqipërinë në qendër të vëmendjes botërore në 25 maj të këtij viti, në realizimin plot sukses së ndeshjes finale të UEFA Conference League. Në te gjitha projektet tona nuk do të mund të realizoheshin pa mbështetjen e fuqishme financiare të FIFA e UEFA. Ne jemi anëtarë të vjetër të FIFA-as, që nga 1932, kontribues në këtë organizatë botërore, pa dyshim që FIFA herë pas here duhet të ketë financuar projekte, por projekte të prekshme e që kanë lënë gjurmë në futbollin shqiptar si në vitet e fundit , unë nuk evidentoj dot. Ndërsa në vitet e fundit mund të përmend: Projektin ‘Goal’ nëpërmjet të cilit u ndërtua kompleksi stërvitor në Kamëz e disa projekte të tjera. Me financime nga FIFA, Shqipëria ka implementuar projekte për përmirësimin e futbollit të fëmijëve, djemve e në veçanti vajzave. Kemi implementuar sistemin VAR; përballuam të gjithë së bashku financiarisht vitet e vështira të pandemisë, dhe në të njëjtën kohë investuam në infrastrukturë. Kompleksi që inaugurojmë sot me një vlerë totale 10.25 milion euro është financuar në masën 6.25 milion euro nga FIFA, 2 milion euro nga UEFA dhe 2 milion euro nga FSHF”, tha Presidenti Duka, ndërsa u ndal të kontributi i Infantinos si President i FIFA-s dhe ndihmën e çmuar që ai i ka dhënë Shqipërisë dhe futbollit në përgjithësi, duke e mbështetur me projekte të rëndësishme.

“I dashur Gianni, e gjitha kjo mbështetje, dashamirësi, vendimmarrje, por edhe punë e një stafi të përkushtuar, është përkthyer në vepra konkrete. I nderuar President, në emrin tim, qeverisjes së futbollit shqiptar dhe gjithë komunitetit që ne përfaqësojmë, ju falenderojmë e ju jemi mirënjohës, ju garantojmë se do të jemi anëtarë konstruktiv të shtëpis sonë të Futbollit botëror FIFA, dhe në të njejtën kohë shprehim besimin dhe mbështetjen tonë për ju , sot e në të ardhmen, për të vazhduar detyrën tuaj në drejtimin e FIFA. Dëshiroj dhe shpresoj shumë që politikat tuaja si Presidenti të jenë në harmoni të plotë më ato të UEFA, (anëtarë të së cilës ne jemi) , në interes të Futbollit Evropian e për rrjedhojë atij Shqiptar. UEFA, shtëpia jonë europiane në të cilën personalisht keni kontribuar jo pak, ka nevojë për ju, e për FIFA. Ashtu siç jam shumë falënderues për ato që kemi bërë së bashku, ashtu jam dhe autokritik e kritik për ato që nuk kemi arritur Akoma, e për të cilat futbolli Shqiptar ka shumë nevojë, e fëmijët tanë presin nga ne, për më shumë vëmendje, më shumë fusha futbolli, më shumë incentiva e projekte të reja.

Ne duhet t’i krijojmë mundësi klubeve e akademive të zhvillohen, të shohin përpara e të shtojnë numrin e futbollistëve. Buxheti i shtetit shpesh është ‘koprrac’ me futbollin, por unë e garantoj edhe ekonomistin më të mirë se investimet e kryera në futboll, kthehen shumë shpejt e madje të shumëfishuara”, tha Presidenti Duka.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino shprehu kënaqësinë dhe emocionin që ishte këtë të enjte në Shqipëri, për të inauguruar kompleksin modern, ‘Shtëpinë e Futbollit’, teksa theksoi në fjalën e tij se që prej herës së tij të parë përpara 20 vitesh, kreu i qeverisë së futbollit botëror tashmë, sheh një ndryshim 2000 vite dritë më pas dhe jo 20 vite më pas. Presidenti Infantino tregon në fjalën përshëndetëse se ka mbetur i mrekulluar nga stadiumi ‘Air Albania’, si edhe nga investimet e tjera në stadiumet e rindërtuara në bashkëpunim me qeverinë shqiptare.

‘‘Për mua sot është vërtetë një kënaqësi e madhe dhe një emocion shumë i madh që gjendem sot këtu me ju. Siç e thamë, shiu sjell bereqet thuhet në shqip, kështu që jemi të kënaqur që po bie shi dhe që pati diell më parë e që do të kthehet sepse kjo është një ditë feste, një ditë gëzimi, e kremtimi ku po përurojmë këtë shtëpi të mrekullueshme të futbollit. E pas 90 vitesh, qysh prej kur Federata Shqiptare është anëtare e FIFA-s, kishte ardhur koha që së bashku, me bashkëpunimin e të gjithëve, FIFA-s, Qeverisë Shqiptare, UEFA-s, si ekip futbolli, ia dalim të fitojmë këtë sfidë e të ndërtojmë këtë shtëpi të mrekullueshme të futbollit, që është shtëpi për të gjitha vajzat e djemtë që e duan futbollin në këtë vend të mrekullueshëm që është Shqipëria e që do t’i japë edhe më shumë burime, edhe më shumë pasion të gjithë të rinjve dhe që projekton FSHF-në dhe Shqipërinë në një epokë dhe kohë të re.

Kemi parë tashmë që gjatë 20 viteve të fundit, në një përshpejtim në 10-vjeçarin e fundit ka pasur një ndryshim të rëndësishëm në futboll në Shqipëri. Hera e parë që kam ardhur këtu ka qenë në vitin 2002, 20 vite më parë. Shkova asokohe të vizitoja stadiumin, punoja për UEFA-n në atë kohë dhe nisëm të mendonim se çfarë mund të bëhej. Por ajo çka shoh sot, nuk është 20 vjet më pas, është 2000 vite dritë pas. Kjo infrastrukturë është një spektakël që është i rëndësishëm jo vetëm për rajonin e Ballkanit, jo vetëm për Europën, por aq i rëndësishëm në nivel botëror, pasi tregon se një vend si Shqipëria është mirëfilli e projektuar drejt së ardhmes, drejt modernizmit dhe stadiumi është një simbol. Stadiumi ku u bë edhe finalja e Conference League, stadiumet e tjera të rindërtuara vitet e fundit me mbështetjen e kryeministrit dhe të qeverisë janë simbole shumë të rëndësishme që dëshmojnë se sa e do futbollin ky vend e sa investon ky vend te futbolli pasi i beson rinisë së vet. Edhe për këtë jam krenar që gjendem këtu sot. Jam krenar pasi qartësisht prania e Presidentit të FIFA-s në Tiranë nënkupton që Shqipëria, Tirana është kryeqyteti i botës pasi të gjithë sytë e botës janë këtu. Duke qenë se e dimë që futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, atëherë ky është kryeqyteti i botës sot. Do ta dëshmojmë dhe do t’i tregojmë këto pamje të bukura të gjithë botës. Pamjet e fëmijëve që luajnë, pamjet e solidaritetit, të jetës, të mësimeve që i jep sporti ynë të gjithëve”, – tha Presidenti i FIFA-s.

Më tej, Infantino tha se FIFA i ka shumëfishuar investimet 5 vitet e fundit, teksa theksoi se qeveria botërore e futbollit do të jetë krah FSHF-së e Qeverisë Shqiptare për të ndërtuar më shumë terrene sportive, për të cilat ka nevojë vendi, ndërsa komentoi edhe hapjen e basteve në Shqipëri, përmes një enti rregullator të Qeverisë, ku fitimet do të shkojnë të gjitha në drejtim të sportit.

“Shqipëria ka shënuar përparime të jashtëzakonshme në nivelin e infrastrukturës. Sigurisht, mbetet për t’u bërë edhe më shumë kur vjen fjala për fushat e futbollit nëpër qytete, për t’u lejuar të rinjve që të luajnë futboll, duhet të investojmë në këto fusha siç e përmendi edhe Presidenti Duka më parë. Gjatë 5 viteve të fundit, FIFA i ka shumëfishuar me 5 investimet ndërkohë që më pas do të shumëfishohen me 7 herë për t’i investuar në projekte. Me qeverinë do të arrijmë t’ia dalim të ndërtojmë edhe më shumë fusha për të gjithë.

Federata e Qeveria në fakt janë bashkëlidhur edhe me çështjen e hapjes së basteve në Shqipëri, që kanë qenë një problem kudo dhe pasi e mbyllëm me këtë plagë të basteve futbollistike që e shkatërron futbollin duket se po ecet në një drejtim tjetër, ku mund të rregullohen bastet dhe dua që të përgëzoj kryeministrin, sepse në momentin që ka rregulla, atëherë përfitimet mund të investohen në futboll e te të rinjtë e në mirëqenien e të gjithëve”, – vijoi Infantino, i cili shprehu në fund edhe njëherë mbështetjen e tij të pakursyer kundrejt FSHF-së.

Dua që të bëj komplimente për punën e madhe që është bërë, për mua është krenari të kthehem 20 vjet më pas e të shikoj atë që ka ndodhur. Jam kthyer edhe dy herë të tjera, kjo është vizita ime e katërt e sigurisht do të rikthehem shumë shpesh. Urime sërish dhe faleminderit për mbështetjen, përkrahjen. Mund të mbështeteni te Gianni, te FIFA. Unë jam këtu me ju. Jam dhe ndihem shqiptar! Faleminderit shumë”, – tha Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantinno.

Ndërsa, Kryeministri Rama e nisi fjalën e tij me një batutë për gjuhën, duke iu drejtuar të pranishmëve në italisht e duke e vënë theksin te fakti që futbolli edhe në Shqipëri është si një fe si edhe vlerësoi investimet e bëra së fundmi nga qeveria në bashkëpunim me FSHF-në.

“I dashur Xhani, unë flas në gjuhën e dytë zyrtare në Shqipëri, që është italishtja, duke dashur të shmang gabimet në përkthim që janë goxha kur unë flas. Për të respektuar të vërtetën, shqipja nuk është gjuhë zyrtare në Zvicër, por është gjuha e parë zyrtare në kombëtaren zvicerane ku shumica e lojtarëve flasin shqip. E nëse federata zvicerane më heton për këtë, atëherë ti më ndihmon me mjetet që keni ju për të ndikuar drejtësinë. Xhani, të dashur shumë miq! Nuk dua të bëj blasfemi, por pas tij, ti je përfaqësuesi i dytë më i rëndësishëm i një feje që është futbolli. Ne jemi shumë të kënaqur e shumë të nderuar që të mikpresim në Shqipërinë e vogël. Nuk është superfuqi, nuk është as një fuqi futbollistike, por është një fuqi e madhe e mikpritjes, e vëllazërisë dhe edhe e pasionit për këtë sport, që ne sigurisht duam ta mbështesim e ta zhvillojmë siç edhe në muzeun e kësaj shtëpie të futbollit, qeveria për të cilën Presidenti ka votuar e shumë presidentë të tjerë këtu vazhdojnë ta votojnë, me shpresën për tu rikthyer, ka bërë një hiç për futbollin, ndërkohë që gjithçka që është bërë, është bërë nga kjo qeveri.

Stadiumet, shtëpia e futbollit, që ata nuk e votojnë, por nuk ka problem. Jemi mjaftueshëm të fortë që të vazhdojmë të punojmë me ta e të dëshmojmë që për ne para së gjithash, vjen dëshira e përbashkët dhe objektivi i përbashkët për ta zhvilluar këtë sport, që siç e the ti më parë kur jemi takuar, nuk është një mjet në vetvete dhe nuk është vetëm ajo çfarë shohim të gjithë në televizion apo ai që sjell pasurim e mbledh shumë nëpër stadiume por është ai që bën bashkë fëmijët nëpër fusha, në ato fusha që keni të drejtë të na kujtoni që nuk janë të mjaftueshme në Shqipëri në raport me banorët. Është ende ky një objektiv i përbashkët me Federatën, sepse po, kemi bërë stadiume por duhet të ndërtojmë më shumë fusha futbolli”, – shtoi Kryeministri Rama, duke kërkuar publikisht mbështetjen e FIFA-së për projekte të tjera për të zhvilluar futbollin shqiptar.

“Unë e di që ti ke një palë zgjedhje, e përpara zgjedhjeve gjithmonë ka premtime. Do t’i fitosh zgjedhjet në prill dhe shpresoj që të sjellësh paratë që ke premtuar për fushat e futbollit e unë sigurisht me ministren që nëse duhet t’u besoj fjalëve të Presidentit, është çuditërisht më e afërt me problemet e me diskutimin me Federatën, ne do të jemi pas jush, ti vë milionat e tua, ne vendosim qindra, mijërat tona, e pastaj Presidenti vendos pasionin, e kështu ecim përpara. Do të bëjmë shumë fusha në të gjitha qytetet. Prindërit kanë nevojë, fëmijët kanë nevojë, kemi nevojë që të mbështetemi për të rritur nivelin e trajnimit në bazë, duke qenë se ka nevojë edhe për shumë trajnerë për të gjitha këto ekipe fëmijësh por jam i sigurt që do të arrijmë edhe aty.

Të falënderoj edhe për disponibilitetin për të na ndihmuar në finalizimin e këtij akti të fundit ligjor për bastet sportive online, siç e di dhe siç saktësisht përmende kemi një histori pak të trishtë mbi supe, me shumë lojëra fati jashtë kontrollit, me shumë para jashtë kontrollit, me shumë njerëz jo të mirë përtej këtyre lojërave. I mbyllëm, pastruam vendin po ta themi kështu, por sidoqoftë kemi mësuar që në botën e re digjitale është e pamundur të mbyllet gjithçka, do të jenë gjithnjë ata që do të jenë në gjendje të bëjnë keq kështu që kështu kuptuam që të rregullojmë, të formalizojmë, të bëjmë edhe këtë lloj loje po ta themi kështu transparente, duke ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare, është rruga më e mirë për të luftuar paligjshmërinë në këtë fushë.

Jam i sigurt që për këtë premtim nuk të kushton asgjë, mjaft të na vësh në dispozicion disa prej ekspertëve tuaj për të na dhënë dorë për këto hapa përfundimtarë të këtij akti ligjor”,– u shpreh Kryeministri Rama në ceremoninë e rastit, e cila vijoi më pas me shkëmbimin e dhuratave.

(Video) Ceremonia e inaugurimit tw “Shtëpisë së Futbollit”

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img