Tekniku i Vllaznisë Qatip Osmani, shpreson dhe beson se Vllaznia do ta festojë 105- vjetorin e krijimit të saj me një fitore ndaj Egnatias.
Sipas tij, ekipi e ka përgatitur shumë mirë këtë takim në mënyrë që të marrë maksimumin. Në konferencën e zakonshme për mediat Osmani është shprehur optimist për këtë takim, ndërsa për sa i përket katërshes, ekipit i duhet ende shumë për të qenë në fund pjesë e skuadrave që do të luajnë në finalet e mëdha.
Luani përballë skuadrës kryesuese dhe më të fortë deri më tani. Si e prisni këtë ndeshje?
Është e vërtetë se ka qenë një ekip që ka bërë mirë deri tani. E ka treguar në lojërat që kemi zhvilluar se ka qenë më mirë se ne. Megjithatë ne jemi përgatitur që të bëjmë më të mirën dhe ta fitojmë takimin e nesërm (sotëm).
Vllaznia mbushi 105 vjeç. Çfarë do të thotë për ju që të jeni pjesë e këtij klubi në këtë përvjetor?
Jam i lumtur dhe krenar që jam pjesë e Vllaznisë dhe shpresoj e besoj që në takimin me Egnatian ta festojmë në mënyrën më të mirë këtë ditëlindje jubilare. Të festojmë me një fitore.
Sa gati është ekipi për këtë përballje?
Besoj se jemi tërësisht gati, pavarësisht se kemi pasur disa probleme gripale të disa lojtarëve, por them se sërish mund të them se jemi të gatshëm.
Stojanoviç, Pusi e Boshnjaku kanë qenë ato me gjendje gripale?
Po, ata janë lojtarët që kanë shfaqur probleme. Megjithatë shpresojmë që Stojanoviç të jetë në formacion, ndërsa për Lorikun (Boshnjakun), do të shikojmë deri nesër (sot).
Këto muaj që jeni në drejtim, momenti më i vështirë, ka qenë ajo humbje 3-0 ndaj Egnatias. Keni marrë masa për në ndryshuar diçka ndaj kësaj skuadre?
Sigurisht që ishte një humbje e rëndë një humbje, e cila mbahet mend. Por tani neve na duhet qetësia. Objektivat tona dihen dhe ne do të kërkojmë që të bëjmë lojë të mirë. Nuk do të ndikohemi për një revansh, por për të marrë maksimumin ndaj një ekipi që momentalisht është më i miri.
Kërkoni vendin e dytë, por a ndjeni edhe presionin poshtë jush në renditje?
Nuk jemi të qetë brenda katërshes. Janë edhe shumë e shumë takime që do të luhen. Janë shumë pikë në lojë dhe nuk mund të them se jemi të qetë dhe kurrsesi nuk duhet thënë se jemi të sigurt.
Egnatia është ekipi me qarkullimin më të madh të topit. Do të ndryshojë diçka Vllaznia në mënyrën e lojës për t’iu përshtatur këtij kundërshtari?
E dimë se është skuadra me zotërimin e topit më të mirë. Me shumë pasime dhe kombinime vjen drejt portës. Ne do të mundohemi që të imponojmë lojën tonë, por kemi marrë masa edhe për t’iu përgjigjur këtij elementi.
Përballë keni tre shkodranë dhe Malota, që ka qenë pjesë e Vllaznisë. Si ndikon ky fakt?
Të tre lojtarët dhe Malota janë lojtarë kualitativ. Çdo trajner do t’i kishte dashur që t’i kishte në ekip. Ndoshta kjo përballje ndaj Vllaznisë për ato mund të jetë edhe një motivim shtesë.
Dëshironi të bëni një ftesë për tifozët shkodranë?
Rezultatet që ne kemi arritur, përveç meritës së lojtarëve, një meritë të madhe kanë edhe tifozët, që sigurisht kanë luajtur një rol të madh. Edhe nesër (sot), ne i presim që të jenë aty në shkallët e stadiumit dhe të na përkrahim, që të gjithë së bashku ta fitojmë ndeshjen.
A do të ketë edhe mysafirë nga Tetova për ta ndjekur nesër Vllazninë?
Kemi sinjale se do të ketë.
Admir URUÇI