Bashkia Shkodër, përmes Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Objekteve Publike, ka intensifikuar punën për përmirësimin e infrastrukturës sportive në qytet. Gjatë ditëve të fundit, vëmendja është përqendruar në disa prej impianteve kryesore sportive, ku po realizohen ndërhyrje që synojnë krijimin e kushteve më të mira për sportistët dhe tifozët.

Një prej investimeve të fundit është ai në stadiumin “Loro Boriçi”, ku po punohet për rinovimin e ulëseve të tribunave. Kjo ndërhyrje synon përmirësimin e kushteve dhe të pamjes së stadiumit, duke ofruar një ambient më të përshtatshëm për tifozët që ndjekin ndeshjet e Vllaznisë dhe aktivitetet e tjera sportive.
Gjozef Kulla, Drejtor, Drejtoria e Mirëmbajtjes së Objekteve Publike në Bashkinë Shkodër flet për frontet e punës ku janë përqëndruar firmat përkatëse të kontraktuara nga institucioni bashkiak.
Paralelisht, drejt përfundimit po shkojnë edhe punimet në palestrën e atletikës, ku investimi i Bashkisë Shkodër përfshin krijimin e sallës së forcës dhe dhomave të zhveshjes, një kërkesë e kahershme e sportistëve shkodranë.Ndërkohë, një tjetër ndërhyrje e rëndësishme është parashikuar në Pallatin e Sportit “Qazim Dervishi”, i cili do të pajiset me sistem ngrohjeje dhe ftohjeje. Ky investim pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet për zhvillimin e stërvitjeve, ndeshjeve dhe aktiviteteve sportive gjatë gjithë vitit.
Investimet në infrastrukturën sportive mbeten një nga drejtimet e punës së Bashkisë Shkodër, me synimin për të përmirësuar kushtet në impiantet ekzistuese dhe për të mbështetur zhvillimin e disiplinave të ndryshme sportive. Ndërhyrjet në këto tre objekte janë pjesë e përpjekjeve për t’i ofruar sportit shkodran ambiente më funksionale dhe kushte më të mira për sportistët, ekipet dhe tifozët.


