Laçi-Vllaznia 1-3(Shënues: Melo 42’/Balaj 8’, Çoba 55’, Alivoda 58’)
Laçi: Dajsinani, Mjaki, Dajko, Luis Silva, Lima, Syla, Qato, Myrtja, Barjamaj, Melo, Soboëale. Trajner: Mirel josa
Vllaznia: Qarri, Smajli, Stojanoviç, Pusi, Mala, Krymi, Boshnjaku, Alivoda, Çoba, Dodaj, Balaj(U aktivizuan: Hakaj, Zaganjori, Dulaj, Delaj, Juriç, Gomesh). Trajner: Qatip Osmani
Gjyqtarë: K. Prenga, O. Loci, A. Laska
Miqësorja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin e Laçit në mes skuadrës vendase me të njëjtin emër dhe Vllaznisë mysafire është mbyllur me rezultatin, 1 me 3 në favor të ekipit shkodran Vllaznia.
Vllaznia ka kaluar e para në avantazh që në minutën e tetë në sajë të golit të shënuar me penallti me autor kapitenin Bekim Balaj. Ka qënë sulmuesi i ri, 18 vjeçari Kevin Dodaj, i cili në depërtim e sipër është ndalur në mënyrë të parregullt nga mbrojtja vendase, dhe kryesori Prenga nuk ka nguruar duke treguar gishtin e tij tek pika e bardhë e penalltisë, aty ku i pagabueshmi balaj e çon në rrjetë
Kur u mendua se pjesa e parë do të mbyllej me këtë rezultat, janë vendasit, të cilët barazojnë në fund të kësaj pjese, gol i cili vjen përsëri nga pika e bardhë e penalltisë duke bërë që 45 minutëshi i parë të mbyllej në barazpeshë, 1 me 1.
Pas një pjese të parë, jo shumë cilësore për ekipin e Vllaznisë, e dyta ka paraqitur në fushën e lojës një skuadër më agressive, e cila e ka kërkuar më me ngulm rrugën e rrjetës, të cilën ka arritur ta gjejë edhe dy herë të tjera.
Fillimisht ka qënë Çoba në minutën e 55-të, goli i të cilit kalon në avantazh kuqeblutë me rezultatin 1 me 2, ndërkohë që për të mbyllur ndeshjen mendon Rejan Alivoda, i cili në të 58-tën minutë shënon edhe të tretin për ngjyrat kuqeblu duke bërë që e hjithë ndeshja të mbyllet me rezultatin 1 me 3 në favor të Vllaznisë.
Kjo ishte miqësorja e parë përgatitore e kuqebluve për vitin 2024, ndërkohë që një tjetër do të jetë nesër në ora 13:30, ku Vllaznia do të presë në stadiumin “Loro Boriçi” ekipin e Besëlidhjes që luan në grupin A të kategorisë së dytë.
Miqësore këto që janë në shërbim të ndeshjes zyrtare, Vllaznia-Kukësi, takim që do të luhet më datë 14 janar në stadiumin “Loro Boriçi”, i vlefshëm për javën e 19-të të kategorisë Abissnet Superiore.
(Video) Pamje nga ndeshja miqësore, Laçi-Vllaznia, e mbyllur me rezultatin, 1 me 3 në favor të kuqebluve. 7 janar 2024-stadiumi i Laçit.