Ashtu siç pritej, Superkupa e Shqipërisë ka dhuruar emocione pa fund. Tirana kampione e Shqipërisë dhe Vllaznia fituese e Kupës së Shqipërisë janë përballur mbrëmjen e së mërkurës në “Air Albania”. Shoqëruar nga një mjedis entuziast të krijuar nga tifozëritë përkatëse që mbështetën skuadrat e tyre të zemrës gjatë të gjithë ndeshjes, ndeshja në fjalë dhuroi emocione të shumta.
Dëshmi e së cilës janë edhe pesë golat e shënuar, tre në portën e Vllaznisë dhe dy në atë të Tiranës. Kuqeblutë e nisën më mirë kur kaluan të parët në avantazh me golin e shënuar nga Mala në minutën e 8-të, ndërkohë që pesë minuta nga mbyllja e pjesës së parë, një supergol i Patrik për Tiranën i çon skuadrat në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve në barazim 1-1.
Një gabim në prapavijën kuqeblu i jep mundësi Tiranës të kalojë në avantazh me golin e Hasanit shënuar në minutën e 53-të. Ndërrimet e kryera nga tekniku kuqeblu Mirel Josa, mes të cilëve edhe Liron Latifi, i cili rikthehet në fushën e lojës pas një pauze të gjatë pushimi për shkak dëmtimi, i japin më shumë forcë Vllaznisë.
Penallti për Vllazninë në minutën e 85-të pas pengimit në zonën bardheblu të Çobës, të cilën e shndërron në gol Latifi. Barazim 2-2, dhe të duket se ndeshja po shkon në shtesë, apo edhe në gjuajtjen e penalltive, por minuta e 92-të e shtesës së kohës së rregullt është fatale për Vllazninë.
Një top i ardhur nga fundorja e majtë dhe i grushtuar nga Zogoviç mbetet në zonën kuqeblu duke u dërguar në rrjetë nga Xhixha, i pambuluar nga mbrojtja shkodrane. Këtu mbyllet gjithçka, Tirana fiton me rezultatin 3-2 duke u bërë fituese e Kupës së Shqipërisë, trofe të cilën ia dorëzon kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, shoqëruar nga dy presidentët e Tiranës dhe Vllaznisë, Refik Halili dhe Alban Xhaferi, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku.
Duke lënë pas Superkupën e Shqipërisë, Vllaznia tashmë është e fokusuar tek kampionati, ku të hënën e ardhshme pret në “Loro Boriçi”, Egnatian. Një ndeshje kjo shumë e rëndësishme për skuadrën kuqeblu, e cila ka pretendimet e veta serioze për fitimin e trofeut, ashtu si edhe në kompeticionin e Kupës së Shqipërisë, ka të njëjtën objektiv.
(Video) Ceremonia e dorëzimit të trofeut të Superkupës së Shqipërisë-Tirana fituese