Vllaznia-Shënkolli 5-0
Shënues(Kevin Dodaj 43’, 49’. Ersi Zaganjori 52’, 59’, 90+1)
Dy trofe kombëtarë kanë mbërritur në Shkodër në harkun kohor të pesë ditëve. Të martën ishte ekipi i parë, i cili nën drejtimin e trajnerit Mirel Josa fitoi Kupën e Shqipërisë duke mundur në finale Laçin me rezultatin 2-1.
Ndërkohë, pasditen e sotme, Klubi i Futbollit Vllaznia ka regjistruar një tjetër trofe. Këtë radhë është skuadra kuqeblu e 17 vjeçarëve, e cila pasi ka mundur në finalen e fazës Play-Off ekipin e Shënkollit me rezultatin e thellë 5-0 është shpallur kampion i Shqipërisë për sezonin 2021-2022.
Ndeshja e luajtur në stadiumin e Kamzës ka filluar më mirë për ekipin e Shënkollit, i cili i drejtuar nga trajneri Dritan Smajli, ish futbollist kampion me Vllazninë, ka sulmuar më tepër duke regjistruar disa raste shënimi. Dhe, nëse nuk kanë shënuar shënkollasit, pengesë është bërë portjeri Juka në një ditë të mirë, por edhe shtylla e goditur prej tyre.
Megjithatë, atëherë kur pritej të shënonte Shënkolli, është Vllaznia e drejtuar nga trajneri Edmond Doçi dhe kolegu i tij, Denis Zmijani, e cila dy minuta nga mbyllja e pjesë së parë ka gjetur golin e avantazhit. Autor i tij është i përhershmi, Kevin Dodaj, i spikatur si golashënuesi më i mirë i kampionatit U-17.
Pjesa e parë është mbyllur me avantazhin e Vllaznisë 1 me 0, ndërkohë katër minuta pasi ka nisur pjesa e dytë, Vllaznia dyfishon rezultatin në 2-0. Shënues është përsëri Kevin Dodaj, por këtë radhë nga pika e bardhë e penalltisë.
Pas këtij momenti, loja është tërësisht nën kontrollin e kuqebluve, të cilët, jo vetem nuk lejojnë prekjen e rrjetës së tyre, por nga ana tjetër arrijnë të shënojnë edhe tre gola të tjerë përmes Ersi Zaganjorit duke e çuar avantazhin në shifrat e thella 5-0 për Vllazninë. Për Zaganjorin që është kontigjent i skuadrës përfaqësuese të moshave, golat kanë ardhur në minutat 52’, 59’ dhe 90+1’.
Me këtë fitore, Vllaznia U-17 shpallet kampione e Shqipërisë për sezonin futbollistik 2021-2022. Një sezon fantastik ky për 17 vjeçarët e Akademsië së Futbollit Vllaznia, ku përpos titullit kampion të sapo fituar në stadiumin e Kamzë përballë Laçit me rezultatin e thellë 5-0, javën e ardhshme ka një tjetër finale. Këtë radhë, Vllaznia U-17 do të ndeshet me ekipin durrsak, Durrësi 04, për finale e kompeticionit të Kupës së Shqipërisë duke patur të njëjtin objektiv, fitimin e trofeut.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, në kampin shkodran ka shpërthyer festa, ndërkohë që më pas Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar ceremoninë dorëzimit të medaljeve të kampionit për futbollistët dhe stafin kuqeblu si dhe trofeun e titullit kampion, të cilin e ka marrë në dorëzim, kapiteni Aron Jukaj.
Gaspër MARKU
(Video: Festa e Vllaznisë-Ceremonia e shpalljes kampione e Shqipërisë 2021-2022)