Kombëtarja e vajzave mbylli këtë të hënë grumbullimin 7-ditor në Ulqin të Malit të Zi. Një grumbullim rutinë, i organizuar nga stafi i ekipit Kombëtar, me qëllimin për të parë nga afër gjendjen fizike të futbollisteve kuqezi, si edhe për të vijuar përgatitjet në kuadër të ndeshjeve të ardhshme të ekipit. Trajneri i Kombëtares së vajzave, Armir Grima kishte ftuar në këtë grumbullim rutinë 22 lojtare, tre prej të cilave aktivizohen me klube jashtë vendit.
Ekipi kombëtar ka pasur një javë mjaft intensive, me nga dy seanca stërvitore në ditë. Në një prononcim për fshf.org, trajneri Grima e konsideron si mjaft të vlefshëm këtë grumbullim 7-ditor, ndërsa kërkon që vajzat të stërviten më shumë në klubet përkatëse, në mënyrë që të rriten më shumë nga ana fizike.
“Na vlejti shumë ky grumbullim për të parë gjendjen e vajzave si edhe të elementëve të rinj që janë afruar. Vajzat janë në një periudhë që duhet ta kuptojnë që në klube duhet të punojnë më shumë. Grumbullimi nuk shërben thjesht për të ardhur dhe për të marrë ngarkesa, pavarësisht se ne jemi këtu për t’i ndihmuar dhe për t’i dhënë ato ngarkesa fizike. Por puna duhet të bëhet edhe në klube, pasi ndryshe do të jetë problem që këto vajza të rriten nga ana fizike” – thotë trajneri Grima, i cili vlerëson paraqitjen e 22 futbollisteve të vëna nën urdhrat e tij për 7 ditë, duke nënvizuar se ka përshtypje mjaft të mira pas përfundimit të këtij grumbullimi.
“Përshtypjet janë të mira. Dëshira është për punë, për ngarkesë fizike. E kanë përballuar shumë mirë. Jemi të kënaqur për atë që vajzat kanë marrë në këtë grumbullim shtatë ditor dhe të shpresojmë që në prill të bëjmë ndeshje miqësore dhe të afrojmë edhe pjesën tjetër që kemi jashtë për të parë se ku jemi. Në shtator kemi edhe takimet zyrtare dhe duhet të dimë se ku është gjendja e vajzave dhe si jemi me përgatitjen e tyre” – tha trajneri i Kombëtares së vajzave, Armir Grima për fshf.org.
(Video) Prononcimi i trajnerit të kombëtares futboll femra, Armir Grima, dhe pamje nga stervitja ne Ulqin.