Friday, May 17, 2024

(Video)Lajm i hidhur për tifozërinë shkodrane, ndërron jetë Mondi, tifozi 55 vjeçar, një jetë e tërë pas Vllaznisë. Mesazhi prekës i Presidentit Alban Xhaferi!

Lexo

Viti 2023 ka nisur me një lajm të hidhur sa i takon futbollit shkodran. Është ndarë nga jeta në një moshë të re, 55 vjeçare, një nga tifozët e spikatur të Vllaznisë në vite. Bëhet fjalë për Edmond Spatharin, ose Mondin, siç njihet në opinionin sportiv.

Për të qënë sa më informues për opinionin sportiv, Mondi, është ai tifozi i zjarrtë i Vllaznisë, i cili ashti siç vishej në jetën e përditshme i tëri me uniformën sportive kuqeblu, ishte personi më i angazhuar dhe i përkushtuar që kujdesej vazhdimisht për dekorin kuqeblu të stadiumit “Loro Boriçi” në të gjitha ndeshjet kur luante Vllaznia. Detyra e tij ishte shpalosja e flamujve gjigant të Vllaznisë në tribunë dhe deri tek pankartat me mbishkrimin e ngjarjeve historike të themelimit të KF Vllaznia, por edhe me portretet e yjeve të futbollit shkodran.

Ajo që e bënte të veçantë Mondin, ishte fakti, se prezenca e tij gjendej në të gjitha stadiumet e futbollit të Shqipërisë ku luante skuadra e zemrës Vllaznia. Edhe pse gjendja e tij ekonomike ishte tejet modeste, ai sakrifikonte jo pak në aspektin financiar kur udhëtonte së bashku me grupin e tij simpatik të tifozëve shkodranë deri në skajin më të largët të Shqipërisë për të bërë të njëjtën gjë si në Shkodër, veshjen kuqeblu të stadiumeve ku luante Vllaznia.

Veprim ky, i cili shoqërohej edhe me entuziazmin e tyre në shkallët e stadiumit në mbështetje të skuadrës së zemrës, që për skuadrën dhe futbollistët shkodranë ndikonte jo pak në fushën e lojës, sepse prania e atij grupi tifozësh dhe simbolet kuqeblu ishin një motiv më shumë për to për të dhënë më të mirën në ndeshje.

Transferta këto, që në ndonjë rast janë shoqëruar edhe me probleme serioze për Mondin, kur forcat e rendit e pengonin në kryerjen e detyrës duke veshur stadiumin kuqeblu, aq sa kishte edhe raste që ai është dëbuar nga stadiumi duke ia mohuar të shijonte skuadrën e zemres në fushën e lojës.

Si rezultat i sëmundje të rëndë që e mundoi gjatë periudhës së fundit, prej rreth dy vitesh, gjendja e tij shëndetësore u rëndua shumë Nëse nëpër rrethe e kishte krejt të pamundur të lëvizte, në ndeshjet që Vllaznia luante në shtëpi, ashtu me paterica siç ishte, Mondi shfaqej në çdo ndeshje të kuqebluve në “Loro Boriçi”.

Një prej këtyre rasteve është edhe ndeshja e majit të dy viteve më parë kundër Laçit, kur pas një penalltie të shënuar nga Marku, ai është regjistruar në vidion që shoqëron shkrimin duke festuar masivisht për golin e kuqebluve.

Falë kontributit të jashtëzakonshem si tifoz i Vllaznisë dhe si qytetar model i Shkodrës, disa të rinj të qytetit të Shkodres, mes tyre edhe gjyqtarët e kolegjumit të gjyqtarëve të futbollit në Shkodër të kryesuar nga Jetmir Podgorica së bashku me kolegët Erdis Dibra, Luis Jubani dhe Xhovan Kasneci, iu gjenden pranë Mondit, mikut të tyre dhe të gjithë tifozërisë shkodrane, ku të mbështetur nga bamirësi Edmond Ndou, bënë një takim si dhe dhanë një kontribut modest për këtë embleme të tifozërisë Shkodrane, tifozin Spathari, me dëshirën dhe urimin  për një jete të gjatë dhe kthimin sa më shpejt në normalitet që të shijonte Vllazninë e tij të zemres!

Por, zemra e tifozit Edmond Spathari pushoi së rrahurri sot për herë të fundit në moshën 55 vjeçare duke mos mundur t’i përballojë sëmundjes së rëndë që e mundoi për gjatë.

Lajmi për humbjen e jetës në moshë të re të tifozit të njohur të Vllaznisë, Edmond Spathari ka prekur rëndë edhe Presidentin e KF Vllaznia, Alban Xhaferi, i cili i gjendur jashtë Shqipërie, në profilin e tij të rrjetit social, shkruan:” Largimi i Mondit nga kjo Botë na trishtoi shumë, Zoti e mëshiroftë. Ngushëllime familjarëve dhe gjithë tifozëve kuqeblu, i cili ka dhanë gjithçka për Vllazninë!”

Mondi do t’i mungojë familjes dhe të afërmëve të tij, por do t’i mungojë patjetër, madje shumë edhe tifozërisë shkodrane, do t’i mungojë jashtë mase skuadrës, futbollistëve, trajnerëve e drejtuesve, më të cilët ai vazhdimisht mbante lidhje të afërta si dashamirës i tejskajshëm i Vllaznisë.

Me dhimbjen e familjarëve, tifozëve, skuadrës kuqeblu, klubit Vllaznia e më gjërë, bashkohet edhe Portali Veriu Sport, duke përcjëllë ngushëllimet e rastit familjes Spathari për humbjen njeriut të tyre të afërt.

Lamtumirë Mondi! Pushofsh në Paqe.

(Video) Tifozi Edmond Spathari duke festuar në gjendje të rënduar shëndetësore me paterica në stadiumin “Loro Boriçi”.

Gaspër MARKU, Shkodër, 2 janar 2023

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img